“Ndryshon agjenda”, Asambleja Parlamentare diskuton dy ditë më herët se që ishte paraparë
Raporti i Dora Bakoyannis që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të hidhet në votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill edhe pse ishte paraparë që të diskutohej dhe votohej për këtë raport më 18 prill.
Në këtë diskutim do të ketë prezantim të raportit nga Raportuesja për Kosovën, Dora Baokyannis, Azdeh Rojhan nga Suedia dhe Beatrice Fresko Rolfo nga Monaco.
Pas debatit do të ketë edhe votim dhe nëse Kosova kalon me sukses këtë fazë, votimi që pritet të ndodh në maj në Këshillin e Ministrave të KiE do të jetë ai që do të përcaktojë nëse Kosova do të arrijë të anëtarësohet në Këshill të Evropës.
Kosova më 27 mars e ka kaluar me sukses votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ndryshe, para katër dite, është miratuar në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës raporti i Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Në raportin 26 faqesh të Bakoyannis nënvizohej fakti se Asambleja Parlamentare e KiE-së pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sa më shpejt që të jetë e mundur.
Themelimi i Asociacionit, sipas raportit të Bakoyannis, duhet të jetë i dukshëm në rast se Kosova kërkon anëtarësimin e plotë në KiE.
“Asambleja Parlamentare pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm me synimin për themelimin e Asociacionit sa më shpejt të jetë e mundur. Asambleja Parlamentare konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të jetë i dukshëm në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në pikën e 11-të të raportit të zyrtares greke.