Vuçiq në panik për ç’pritet të ndodhë në fund të prillit: “Pse pas 29 vitesh?!”
Në fund të prillit, me shumë gjasa të shtunën, më 27 prill, Kombet e Bashkuara duhet të pranojnë përfundimisht Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë dhe atë me sugjerimin e Gjermanisë.
Pas këtij lajmi, në Beograd ranë kambanat e alarmit, ndaj dhe Vuçiç, në fjalimin e tij të ri e të gjatë në një televizion të regjimit tha se Serbisë i presin sërish ditë të vështira.
Përveç kësaj, ai njoftoi se pas rezolutës “menjëherë, të nesërmen, do të nisë një iniciativë për shfuqizimin e Republika Srpska-s, bazuar në qëndrimin se krijimet politike të bazuara në gjenocid nuk mund të ekzistojnë”, dhe tha gjithashtu se “dëmshpërblimet e luftës do të kërkohen edhe nga Serbia”.
Bashkëpunëtori i tij i ngushtë dhe ish-kreu i shërbimit inteligjent serb, Aleksandar Vulin, sulmoi Gjermaninë si propozues të rezolutës, duke pyetur “a nuk mund të gjenin një vend tjetër” për ta propozuar atë, duke aluduar drejtpërdrejt për rolin e Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore dhe gjenocidin.
Edhe pse ajo rezolutë, natyrisht, nuk i shpall serbët një “komb gjenocid”, makineria politike dhe mediatike e Vuçiçit dëshiron ta portretizojë atë në këtë mënyrë, duke pyetur veten pse “dikujt i duhet kjo tani pas 29 vjetësh“, veçanërisht “kundër një populli kundër të cilit gjenocidi u krye në Luftën e Dytë Botërore”, siç serbët pretendojnë për veten e tyre.
Kujtojmë se Serbia e njeh “krimin”, por nuk pranon se është gjenocid. Vuççq ka një shpjegim shtesë për këtë. Konkretisht, presidenti serb pretendon se “Perëndimi kolektiv (frazë e marrë nga kuzhina propagandistike e Putinit) nuk mund t’i mbështesë plotësisht palestinezët për shkak të mbështetjes së tyre për Izraelin”, kështu që “ata gjetën myslimanë (nënkupton boshnjakët) që ata mund t’i mbështesin”. Serbia dhe Republika Srpska e kundërshtojnë atë rezolutë, duke i bërë thirrje Rusisë të reagojë dhe të nisë të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion për ta sfiduar atë përsëri.
Kujtojmë se në vitin 2015 Britania e Madhe propozoi një rezolutë, por Rusia bllokoi miratimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në atë kohë, dhjetë vende votuan pro, katër abstenuan, duke përfshirë Kinën dhe Rusinë, një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, që vuri veton ndaj miratimit të dokumentit.
Në të njëjtën kohë, Vuçiç e lidh atë me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, që duhet të ndodhë në mes të majit (16-17), për të cilën kryetarja e Kuvendit dhe deri vonë kryeministrja Ana Brnabiç, ka bërë të ditur se Serbia “mund të jetë në gjendje të largohet nga ai institucion” në shenjë proteste.
Aleksandar Vulin tha se Rezoluta për Srebrenicën dhe pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës janë “finalizimi i komplotit kundër Serbisë dhe Republikës Srpska”, dhe mediat e Beogradit njoftuan “një marrëveshje mes partisë së Milorad Dodikut dhe Aleksandar Vuçiçit” në lidhje me një strategji të përbashkët. Madje Aleksandar Vulin bën të ditur edhe arrestimin e mundshëm të Milorad Dodik. Frika e Vuçiçit nga serbët dhe paranoja e tij po rriten dhe po rëndojnë Serbinë, e cila po bëhet peng i politikave të tij. /tesheshi.com/