Maqedoni

Fakulteti Ekonomik i UT-së bashkorganizator i Olimpiadës së Dytë të Ekonomiksit

Shpërndaje

Në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës, më 19 prill 2024 për të dytin vit me radhë u organizua Testi i Raundit Rajonal të Olimpiadës së Ekonomiksit. Ky aktivitet u realizua në kuadër të bashkëpunimit që Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tetovës ka me Institutin Alternativa Liberale dhe Economics Fundamentals Initiative nga SHBA-të dhe është një dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta në promovimin e edukimit ekonomik dhe frymëzimin e një brezi të ri ekonomistësh dhe inovatorësh.

Procesi i realizimit të këtij testimi në Fakultetin Ekonomik u mbikëqyr nga prodekania për arsim Doc. Dr. Vjollca Hasani Limani si dhe Mr. Sc. Valon Ameti. Sipas tyre qëllimi i kësaj olimpiade është nxitja e nxënësve, e posaçërisht e maturantëve për të mësuar më shumë rreth edukimit ekonomik si dhe menaxhimit të financave personale.

Në olimpiadën e sivjetme morën pjesë nxënës të zgjedhur nga shkollat e mesme komunale dhe private të cilat gravitojnë në rajonin e Tetovës. Nxënësit të cilët do të arrijnë ta kalojnë këtë nivel të garës do të kalojnë në garat në nivel republikan, ku do të garojnë krahas nxënësve të të gjitha shkollave të mesme nga vendi ynë.