RajoniTop Lajme

Dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në gjykatë – kusht që ministrat e KiE të votojnë pro Kosovës

Shpërndaje

Shtete të fuqishme si Franca e Gjermania me ndihmën e SHBA’së, që nuk ka të drejtë vote në Këshill të Europës, po e kushtëzojnë haptas anëtarësimin e Kosoës në Këshill të Europës me lëvizje të Qeverisë për Asociacionin. Kur ministrat e vendeve anëtare të mblidhen në Islandë në mes të muajit të ardhshëm, draft-statuti për Asociacionin duhet të jetë i miratuar në Qeveri dhe i dërguar në Gjykatë. Kjo u bë e qartë gjatë tri ditëve të fundit.

Suksesi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku me një shumicë dërrmuese të votave u miratua raporti që i rekomandon Komitetit të Ministrave që Kosovën ta bëjë anëtare të organizatës, u konsiderua historik. Për të ecur tutje Asociacioni ishte një kusht që mund të implementohej edhe pas anëtarësimit. Megjithatë, para se çështja të shkojë në Komitet të Ministrave, Kosova po përballet me presion diplomatik për progres urgjent drejt themelimit të Asociacionit, që i bie se draft-statuti i propozuar nga BE duhet të miratohet në Qeveri dhe të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë është e qartë se Fuqitë, që janë edhe ndërmjetëse në negociatat Kosovë-Serbi, e vunë këtë kërkesë për Asociacionin në një rresht me anëtarësimin në Këshill të Europës.

Gjatë një vizite në Gjermani, kryeministri Albin Kurti pati një takim të rëndësishëm me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili më pas tregoi mbi kërkesën e tij për Kosovën.

O’Brien fillimisht e potencoi që vendi i tij e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike dhe më pas kërkoi nga Kosova zbatimin e zotimeve, përfshirë një përparim urgjent drejt Asociacionit.

“SHBA mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik. Për të shkuar përpara, ne duhet të zbatojmë zotimet e dialogut të lehtësuar nga BE, përfshirë progresin urgjent në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Diskutova hapat pozitivë të nevojitur me kryeministrin kosovar Albin Kurti sot”, ka shkruar O’Brien në X.

Për këtë takim, Kurti njoftoi sot, por pa përmendur kërkesën rreth Asociacionit.

“Dje kam takuar ndihmëssekretarin e shtetit amerikan Jim O’Brien dhe ambasadorin Jef Hovenier. Ne diskutuam rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të marrëveshjes bazike. Ne gjithmonë do të jemi mirënjjohës ndaj SHBA-së për rolin qendror dhe mbështetjen e Kosovës në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik”.

Një ditë më herët, kërkesën e njëjtë si të O’Brien, kryeministrit Kurti ia bëri vetë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një bisede telefonike.

“Presidenti i Republikës [së Francës] përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në deklaratë.

Macron, gjithashtu, bëri thirrje që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, që doli nga plani i hartuar prej Francës dhe Gjermanisë, të gjejë zbatim të plotë.

“Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në mbështetje të ndërmjetësimit europian dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve Bruksel-Ohër”.

Ndërkohë, Gjermania nuk përmendi fjalën “urgjencë” siç bënë SHBA e Franca, por tha se zbatimi i vendimit për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit s’mund të jetë kusht i denjë për një votim të rëndësishëm në Komitet të Ministrave.

Në një përgjigje sot për Gazetën Express, zëdhënësi i ambasadës gjermane në Kosovë, Christian Boettcher, tha se vendi i tij pret nga Kosova “hapa të prekshëm” drejt Asociacionit.

“Kur bëhet fjalë për votimin përfundimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Komitetin e Ministrave, do të merret parasysh pamja e përgjithshme që po paraqet Kosova. Një vendim kaq i rëndësishëm, që kërkon një shumicë prej 2/3, nuk mund të lidhet me një temë të vetme si zbatimi i vendimit të Manastirit të Deçanit. Siç është thënë disa herë, Gjermania pret që Kosova të ndërmarrë hapa të prekshëm drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, krijimit të së cilës Kosova është zotuar vite më parë. Këtë e ka bërë të ditur edhe presidenti francez në bisedën telefonike të fundit me kryeministrin Kurti”, ka thënë Boettcher.

Sidoqoftë, më pak i prerë nëse Asociacioni përbën kusht për votën përfundimtare që Kosova të jetë pjesë e KiE ishte emisari gjerman, Manuel Sarrazin.

Ai hezitoi të përgjigjej në një pyetje direkte të EWB, por i dha një këshillë Kosovës se si mund të marrë 2/3-at e votave të ministrave të Jashtëm të Komitetit.

Në përgjithësi, situata e ballafaqimit me minoritetet në Kosovë është shumë relevante. Por Kosova ka obligim nga marrëveshjet e Brukselit të arritura në vitin 2011 dhe 2013, si dhe nga marrëveshja e Ohrit për të zbatuar Asociacionin. Ajo që është e qartë është se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila përfshin themelimin e Asociacioni”.

Tre krerët e vendit, presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca, më 22 mars 2024, në listën e zotimeve të pas-anëtarësimit dërguar APKE-së, ata u zotuan të “ndërmarrin hapa thelbësorë dhe të prekshëm me synimin për të zbatuar të gjitha nenet e Brukselit dhe të Marrëveshjeve të Ohrit, që përfshin krijimin e Asociacioni i komunave me shumicë serbe sa më shpejt të jetë e mundur”.

Megjithatë, Osmani, Kurti e Konjufca janë konsistentë në kërkesën e tyre që marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet në tërësi dhe që pika për themelimin e Asociacionit të mos jetë mbi të tjerat.