Kurti falënderon deputetët gjermanë për mbështetjen ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, u takuan në Berlin me Bashkë-drejtuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil dhe anëtarin e Bundestagut gjerman nga radhët e SPD-së, Frank Schwabe, njëherësh drejtues i delegacionit gjerman të Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës (PACE).
Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, “diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, bashkëpunimin e ngushtë që kemi pasur deri tani, qeverisjen në vend, me theks te reformat në sundim të ligjit, progresin demokratik dhe respektimin e të drejtave të njeriut”.
“Kryeministri falënderoi deputetët gjermanë që janë pjesë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për mbështetjen ndaj aplikimit të Kosovës në këtë organizatë dhe rezultatin historik të 16 prillit. Ai tha se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në vitet e fundit drejt anëtarësimit në Këshill, dhe se në bazë të regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, Kosova meriton të bëhet anëtarja e 47-të pikërisht në përvjetorin jubilar të themelimit të Këshillit të Evropës”.
“Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe bashkë-drejtuesi i SPD-së, Klingbeil dhe deputeti Schwabe bisedua edhe rreth bashkëpunimit ndërpartiak në promovimin e vlerave të përbashkëta të demokracisë, drejtësisë e barazisë për të gjithë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Postimi i plotë:
Dy ditë në Hanover të Gjermanisë. Aty ku po mbahet panairi më i madh ndërkombëtar i teknologjisë dhe industrisë, Hannover Messe 2024. E pikërisht aty, 10 biznese vendore tona nga sektori i teknologjisë dhe përpunimit të metaleve po promovojnë shërbimet dhe produktet e tyre. Pjesëmarrjen ua mundësoi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA). Kjo e fundit gjithashtu organizoi një takim me biznese në të cilin me ministren Hajdari dhe Shefin e Stafit, Luan Dalipi prezantuam arsyet se pse Kosova është vendi i duhur për investime nga kompani gjermane.
Në ditën e parë, gjatë paraditës, krahas vizitës te stenda e Republikës së Kosovës takuam edhe përfaqësues nga kompani prestigjioze si Microsoft, Siemens, Schneider Electric, e Bosch Rexroth. Po atë ditë, patëm një drekë pune të organizuar nga Këshilli i Jashtëm Ekonomik e ku bashkëbiseduam me sipërmarrës të kompanive të ndryshme gjermane. Kurse në mbrëmje ishim mysafirë në darkën e shtruar nga Shoqata Federale e Industrisë Gjermane, Dr. Siegfried Russwurm, Kryeministri i landit të Niedersachsen, Stephan Weil dhe Drejtori Bordit të Deutschen Messe, Jochen Köckler. I pranishëm në darkë ishte edhe ministri i Ekonomisë së Gjermanisë, njëherësh zëvendëskancelari gjerman, Dr. Robert Habeck, dhe ministri i Industrisë dhe Resurseve Minerale të Arabisë Saudite, Bandar Alkhorayef. Të dy pata nderin t’i takoj.
Takim të rëndësishëm patëm me Kryeministrin e landit të Niedersachsen, Stephan Weil. Diskutuam për bashkëpunimin ekonomik e kulturor, për energjinë e ripërtërishme, për sektorin e teknologjisë e të industrisë dhe për mësimet që Kosova mund të marrë nga landi i Niedersachsen dhe për mundësitë që ofron për investitorë të huaj. Në Hanover, takova edhe Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien. Në një bisedë të hapur, bashkë edhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier diskutuam për rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike si dhe për zhvillimet e fundit. Jemi gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin e saj qendror dhe mbështetjen ndaj Kosovës në synimet tona për integrim euro-atlantik.
E mërgata për të cilën folëm gjatë gjithë kohës në çdo takim që patëm, na mirëpriti si përherë ngrohtësisht. I falënderoj çdo herë për interesimin e tyre për të na përcjellë në çdo vizitë tonë dhe për kontributin e vazhdueshëm e punën e madhe që gjithsecili pjesëtar i mërgatës e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë ndër vite, pa ndërprerë, për Kosovën.
Sot jemi në Berlin. Këtu fillimisht do të kemi një bashkëbisedim në fondacionin Bertelsmann. Pastaj do të takoj ministrin gjerman të Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Oezdemir. Për të përmbyllur ditën me ngjarjen e organizuar nga grupi parlamentar i SPD-së gjermane në shënim të 75-vjetorit të Këshillit të Evropës.