Bota

SHBA, policia ndërhyn ndaj protestuesve pro-Palestinës në Universitetin e Kalifornisë Jugore

Shpërndaje

Në Universitetin e Kalifornisë Jugore (USC) policia ndërhyri dhe arrestoi shumë studentë që protestuan kundër Izraelit duke marrë pjesë në protestat për Gazën të cilat nisën në Universitetin Columbia në SHBA dhe që u përhapën në universitete në shtete të ndryshme, transmeton Anadolu.

Universiteti i Kalifornisë Jugore, një nga universitetet kryesore në SHBA, ka qenë skenë e demonstratave për Gazën dhe ndërhyrjes së policisë kundër studentëve.

Pasi nuk i lejoi studentët të ngrinin tenda në disa pjesë të kampusit gjatë ditës, policia në orët e mbrëmjes filloi të paralajmëronte për shpërndarjen e protestuesve. Policia, numri i të cilëve u shtua me pjesëmarrjen e policisë së Los Angeles, ndaloi një grup studentësh që vazhduan të protestojnë ende në orët e mbrëmjes.

Në orët e mbrëmjes, policia mori masa të gjera sigurie në zonën përreth duke mbyllur për përdorim publik kampusin kryesor të universitetit. Disa studentë që donin të ngrinin tendë në zonën ku protestuesit ishin më intensiv në orët e drekës, nuk u lejuan nga administrata e universitetit dhe më pas ata u përballën me ndërhyrjen e ashpër të policisë.

– Përleshje në Universitetin e Teksasit

Rreth 200 studentë që protestuan kundër sulmeve të Izraelit në Gaza dhe veprimeve të tij kundër civilëve palestinezë u mblodhën dje në orët e drekës në kampusin e Universitetit të Teksasit në Austin. Policia arrestoi 17 persona për të cilët ata pretenduan se e kanë drejtuar grupin në fazën e parë. Gjatë kësaj u shënuan përleshje mes studentëve dhe forcave të sigurisë, përfshirë edhe ekipet me kuaj.

Ndërkohë që policia u bëri thirrje protestuesve të shpërndaheshin, studentët vazhduan protestën e tyre duke u ulur në kopshtin e universitetit dhe më pas policia ndaloi sërish disa demonstrues.