Partitë vazhdojnë fushatën për zgjedhjet parlamentare
Lëvizja “Znam” u fokusua te zhvillimi i bujqësisë. Gjoko Bunevski tha se kjo parti ka përgatitur mbi 40 propozim masa për përmirësimin e sektorit për prodhimin dhe përpunimin e ushqimit, ku mes tjerash parashikohet stimulimi i fermerëve me subvencione si dhe ndalimi i migrimit nga fshatrat nëpër qytete.
“Rritje të subvencioneve për bujqësinë, nëse kemi parasysh se buxheti momental është 160-180 milion euro, vetëm me riorganizim dhe revizion, sepse kemi masa joproduktive, jofunksionale dhe të vjetruara, që nuk japin rezultat, në atë raste ato mjete me vlera më të mëdha do të shkojnë te fermerët”, deklaroi Gjoko Bunevski, Lëvizja “Znam”.
VMRO-DPMNE në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare paralajmëron më shumë investime për zhvillimin e komunave dhe bujqësisë. Dragan Kovaçki nga Karbinci deklaroi se qeveria e udhëhequr nga VMRO-ja, do të zgjidh problemet e bujqve me mbi 800 milion euro.
“Në të ardhmen ne planifikojmë të japim 250 milion euro për komunat tona, respektivisht për të gjitha komunat në shtet, pa dallim se kush është në pushtet. Vetëm në Karbinci do të ndajmë 1.8 milion euro…Në mënyrë shtesë për banorët e kësaj ane parashohim mbi 800 milion euro në mandatin 4 vjeçar për bujqit”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
Nga LSDM theksuan se edhe përskaj rezultateve në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, nuk do të dorëzohen assesi nga rruga evropiane e vendit. Fushatën, LSDM do ta vazhdojë me më shumë takime me qytetarët. Nga kjo parti bënë thirrje për zgjimin e forcave progresive në vend.
“Është e vërtetë sot fillojmë nga zero, fillojmë nga zero me zemër të hapur të gjerë dhe me dorë të zgjatur për secilin. Nëse bëhej fjalë për dërgim porosie për secilin prej nesh… Ta dini se porosia është marrë, porosia është dëgjuar dhe porosia është ajo që vlera e vetme në shtet është gjithmonë të jeni krah për krah me popullin”, deklaroi Oliver Spasovski, LSDM. /Alsat.mk