BotaTop Lajme

Studentë dhe aktivistë në New York organizojnë protestë në mbështetje të Palestinës

Shpërndaje

Studentë në mbështetje të Palestinës në Universitetin e New Yorkut (NYU), në një protestë që organizuan me pjesëmarrjen e një grupi të aktivistëve, përsëritën kërkesën e tyre që administrata e këtij institucioni të ndërpresë lidhjet e saj tregtare me Izraelin, raporton Anadolu.

Studentët e universiteteve në SHBA, të cilët vazhduan protestat në mbështetje për Palestinën, pavarësisht nga të gjitha llojet e kufizimeve nga administratat e shkollave dhe ndërhyrjes së ashpër të policisë, u mblodhën në kampusin e NYU-së pasi tendat e solidaritetit për Gazën u çmontuan nga policia.

Këtë protestë të studentëve të NYU-së, institucioni i arsimit të lartë në New York ku u zhvilluan protestat më intensive pas Universitetit Columbia, e mbështetën edhe banorë të New Yorkut dhe organizata joqeveritare.

Anëtarët e grupit të quajtur “Shut It Down”, i cili ka zhvilluar protesta aktive dhe paqësore në rrugët e New Yorkut shumë herë më parë për të arritur një armëpushim në Gaza, u mblodhën gjithashtu rreth ndërtesës Paulson Center të universitetit.

Demonstrata e aktivistëve dhe studentëve, të cilët për pak kohë brohoritën parulla pro Palestinës dhe reaguan ndaj kufizimit të lirisë së shprehjes në universitete, u ndoq nga forcat e sigurisë nga ajri me helikopterë dhe dronë.

Grupi i madh pjesëmarrës në demonstratë më pas shkoi në kampusin e universitetit New School, ku u çmontua një kamp tjetër solidariteti me Gazën. Ndërkohë, një person nga grupi u ndalua.

Disa tenda të mbetura të kampit të solidaritetit të Gazës në NYU dhe New School u hoqën nga policia e New Yorkut në orët e hershme të mëngjesit.

Demonstratat studentore nisën më 17 prill në Universitetin Columbia kundër ofensivës së Izraelit në Gaza, në të cilën më shumë se 34.600 palestinezë janë vrarë dhe 77.700 janë plagosur.

Ato u përhapën shpejt në kampuset e tjera, ndërsa policia ka tentuar t’i largojë studentët, duke arrestuar qindra prej tyre.