Mediat amerikane: SHBA ndalon dërgesën e bombave pas vendimit të Izraelit për sulm në Rafah
Pretendohet se pasi qeveria e Tel Avivit vendosi të nisë sulm tokësor në qytetin Rafah të Gazës, SHBA-ja ndaloi dërgesat e bombave amerikane në Izrael, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve në mediat amerikane, një zyrtar i lartë, i cili nuk deshi të identifikohet për shkak të shqetësimeve të privatësisë, bëri deklarata për dërgesën në fjalë.
Zyrtari pohoi se dërgesa në Izrael përbëhej nga 1.800 bomba 900 kilogramësh dhe 1.700 bomba 225 kilogramësh dhe se ata ishin të shqetësuar se si këto bomba do të përdoreshin në zona me popullsi të dendur.
Duke pretenduar se SHBA-ja vendosi të ndalonte dërgesën javën e kaluar pasi Izraeli vendosi të sulmonte qytetin Rafah nga toka, zyrtari tha se ishte e paqartë nëse dërgesa do të bëhej më vonë.
Ushtria izraelite nisi sulm tokësor në rajonin Rafah dje në mëngjes dhe njoftoi se kishte marrë nën kontroll pikën kufitare Rafah në anën palestineze të Gazës.
Gazeta “Wall Street Journal” (WSJ) pohoi dje se administrata e Joe Bidenit në SHBA shtyri shitjen e rreth 6.500 municioneve të sulmeve të përbashkëta direkte (JDAM) që Izraeli thuhet se përdorte në Gaza.