Gaza, numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite tejkalon 35 mijë
Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës ka bërë të ditur se që nga tetori i kaluar numri i palestinezëve të vrarë nga ofensiva e vazhdueshme e Izraelit në enklavën palestineze të rrethuar është rritur në të paktën 35.034, transmeton Anadolu.
Të paktën 78.755 persona të tjerë po ashtu janë lënduar në sulmet izraelite.
“Sulmet izraelite vranë 63 persona dhe plagosën 114 të tjerë në 24 orët e fundit. Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, tha ministria palestineze.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga sulm ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.
Tel Avivi gjithashtu ka vendosur një bllokadë gjymtuese në Rripin e Gazës, duke e çuar në prag të urisë popullsinë e enklavës, veçanërisht banorët e Gazës veriore.
Më shumë se shtatë muaj pas konfliktit, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se “besohet” se Tel Avivi po kryen gjenocid në Gaza, duke e urdhëruar atë të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Të premten, Afrika e Jugut i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që në kuadër të masave shtesë emergjente për luftën të urdhërojë Izraelin të tërhiqet nga qyteti jugor Rafah, ku janë strehuar më shumë se 1.5 milionë njerëz të zhvendosur.