Ambasadori i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut e vizitoi Universitetin e Tetovës
David Geer ambasadori i BE-së në vendin tonë, sot e vizitoi Universitetin e Tetovës ku u prit nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm dhe prorektorët e këtij institucioni.
Në këtë takim, Rektori i UT-së ambasadorin e BE-së e njohu me zhvillimet e fundit në Universitet, por edhe me historikun 30-vjeçar. Ai tha se UT-ja është universiteti i parë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ka rol domethënës në arsimimin e të rinjve në të tre ciklet e studimeve. Përpos rolit arsimor-shkencor, UT-ja sikurse tha Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli kontribuon në përparimin e shoqërisë në vend e njëherazi ndihmon edhe në proceset integruese.
Ndërsa ambasadori David Geer shprehu kënaqësinë e tij që e viziton këtë universitet publik dhe theksoi se i përcjellë zhvillimet institucionale dhe ecurinë e përgjithshme. Ai u interesua për bashkëpunimin që UT-ja realizon me universitetet e Bashkimit Evropian dhe për interesimin e studentëve tanë në shfrytëzimin dhe përfshirjen e tyre në programet arsimore të financuara nga BE-ja, siç janë Erasmus + dhe Horizont 2020.
Ai po ashtu bëri të ditur se BE-ja përmes programeve dhe projekteve të ndryshme i mbështet të rinjtë në thellimin e studimeve të tyre dhe për këtë qëllim ndajnë buxhete vjetore. Gjatë kësaj vizite ai po ashtu veçoi planin e rritjes në Ballkanin Perëndimor që nënkupton forcimin e kapaciteteve të vendeve aspirante në përputhje me standardet evropiane. Përpos programeve të lartpërmendura, ambasadori David Geer njoftoi edhe për hapjen e Europe Hause në Tetovë që do të jetë një tjetër mundësi për promovimin e vlerave të BE-së, por edhe do të ofrojë qasje direkte në projektet e BE-së si për studentët edhe për sektorin civil.
Drejtuesit e UT-së ambasadorin Geer e informuan për bashkëpunimin dhe partneritetin e suksesshëm të këtij institucioni me universitetet e njohura nga Evropa dhe më gjerë, për shfrytëzimin e kuotave të programit Erasmus +, por kërkuan që këto kuota të rriten sepse interesimi si nga studentët dhe stafi akademik është i konsiderueshëm. Ata ritheksuan orientimin proevronian dhe properëndimor të Universitetit të Tetovës, hapjen e Këndit Amerikan dhe Këndit Austriak në ambientet e kampusit si dhe realizimin e proceseve akademike në përputhje me normat demokratike.
Pas takimit me udhëheqësinë e UT-së, ambasadori David Geer para studentëve të njësive të ndryshme akademike mbajti ligjëratë dhe realizoi një bashkëbisedim të frytshëm për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Ligjërata u fokusua kryesisht në reformat thelbësore që duhet të kryhen nga qeveria e re e RMV-së dhe kriteret që duhen përmbushur për anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian.