Nis samiti i G7-tës në Itali, në fokus çështjet globale, Ukraina dhe Lindja e Mesme
Në Itali ka filluar samiti i vendeve të G7-tës për të diskutuar çështjet globale, duke përfshirë konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, raporton Anadolu.
Kryeministrja e vendit Giorgia Meloni mirëpriti liderët e vendeve të G7-tës dhe të Bashkimit Evropian me të mbërritur në qytetin juglindor Borgo Egnazia. Pritet të vijnë edhe liderë të tjerë botërorë të ftuar nga Italia, përfshirë presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrin indian Narendra Modi.
Në fjalën e saj hapëse të sesionit të parë, Meloni theksoi rëndësinë e dialogut me kombet e Jugut Global.
“Presidenca italiane vendosi gjithashtu t’i kushtojë vëmendje të veçantë një kontinenti tjetër – i cili është thelbësor në të ardhmen – që është Afrika, me mundësitë e saj. Dhe kjo kërkon një qasje të ndryshme nga ajo që kemi treguar në të kaluarën”, tha ajo.
Ajo vuri në dukje se në këtë kontekst do të diskutohen edhe çështjet e migracionit.
G7 – i përbërë nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania, Italia, Kanadaja dhe Japonia – me pjesëmarrjen e presidentit të Këshillit të BE-së Charles Michel dhe presidentes së Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, do të diskutojë gjithashtu çështjet që lidhen me rajonin e Azi-Paqësorit, ndryshimet klimatike, energjinë dhe inteligjencën artificiale.