Shaqiri demanton: Nuk kam nënshkruar asgjë kundërligjore dhe asgjë sipas tekeve të dikujt
Ministri i Arsimit dhe Shkencës në largim Jeton Shaqiri nëpërmjet një statusi në rrjetin social facebook ka demantuar të gjitha zërat se ka dhënë leje për themelimin e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore pran Universitetit Ndërkombëtar të Strugës, prapa të cilit qëndron kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko. Shaqiri sqaron se ministri nuk mund të themelojë një institucion të arsimit të lartë, duke shtuar se është procedurë në të cilën janë të përfshira disa institucione dhe organe kompetente, por edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por që siç thotë Shaqiri në thelb ka më së paku kompetenca.
“Nga disa subjekte politike jam akuzuar se kam themeluar Fakultetin e Shkencave Shëndetësore në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Disa të tjerë përmendin Fakultetin e Shkencave Mjekësore, por këto janë dy koncepte të ndryshme. Nuk do të hyj në arsyet për këto deklarata, nëse janë tendencioze ose nga padituria, por këtë informacion e demantoj kategorikisht.
Dua të sqaroj se ministri nuk mund të themelojë një institucion të arsimit të lartë. Kjo është procedurë e tërë në të cilën janë të përfshira disa institucione dhe organe kompetente, ndër të cilat edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila në thelb ka më së paku kompetenca.
Themelimi i një institucioni të arsimit të lartë, në këtë rast fakulteti brenda një universiteti ekzistues, fillon me iniciativën e vetë universitetit, e cila së pari duhet të marrë një mendim pozitiv, pra miratimin nga Qeveria. Më pas, Bordi i Akreditimit pranë Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë akrediton projektin e dorëzuar nga universiteti. Më tej, pason nxjerrja e akteve për themelimin dhe funksionimin e fakultetit nga ana e komisionit përkatës pranë universitetit dhe vetëm pasi përfundohen këto faza, bazuar në mendimin e komisionit për inspektimin e përmbushjes së kushteve për punë, brenda kuadrit të MASH, ministri i Arsimit dhe Shkencës merr vendim për përmbushjen e kushteve dhe leje për fillimin e punës. Ndërkohë, Bordi i Akreditimit zhvillon procedurën për akreditimin e programeve të studimit, pa përfundimin e së cilës fakulteti nuk mund të regjistrojë studentë. Kjo procedurë është në vazhdim dhe nuk ka përfunduar.
Në fakt, si për shumë fakultete të tjera, ashtu edhe për këtë – Fakultetin e Shkencave Shëndetësore, ku do të ketë programe studimi trevjeçare për infermierë dhe jo studime për mjekë, pas dorëzimit të raportit nga komisioni në MASH, kam nënshkruar Vendimin për përmbushjen e kushteve për fillimin e punës së institucionit të arsimit të lartë. Asgjë kundërligjore dhe asgjë sipas tekeve të dikujt”, ka shkruar ministri i Arsimit dhe Shkencës në largim Jeton Shaqiri.