Prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare “Shota”, është prezantuar në panairin EUROSATORY në Paris
Prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare “Shota”, është prezantuar në panairin ndërkombëtar EUROSATORY që po mbahet në Paris.
Shqipëria merr pjesë për herë të parë e përfaqësuar nga një kompani 100% shqiptare në këtë panair, ku marrin pjesë rreth dy mijë kompani nga e gjithë bota.
Ky konsiderohet një moment i rëndësishëm nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
“Prezantohet në panairin EUROSATORY në Paris, prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare Shota. Një moment i rëndësishëm që shënon pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar dhe përfaqëson një arritje të madhe për industrinë tonë të mbrojtjes”, ka shkruar Peleshi.
Automjeti është i pajisur me një teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, përfshirë transportin e trupave, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë.
Qëllimi i krijimit të kësaj makine është fuqizimi i industrisë ushtarake shqiptare dhe jo vetëm.
Në panairin EUROSATORY në Paris marrin pjesë delegacione nga shtete të ndryshme si dhe përfaqësues nga SHBA dhe NATO dhe do të zgjasë nga data 17 deri në 21 qershor.