MaqedoniTop Lajme

Bllokohen 104 faqe internet për lojëra ilegale fati

Shpërndaje

Ministria e transformimit digjital ka urdhëruar Agjencinë e komunikimeve elektronike për bllokimin e 104 faqeve të internetit, përmes së cilave organizohen në mënyrë të paligjshme lojërat e fatit online, kanë njoftuar nga ministria e transformimit digjital. Ata thonë se më këto numri i përgjithshëm i faqeve të përfshira në urdhrat e deritanishëm për bllokim arrin në 462. Ministria sqaron se këto janë masa për parandalimin e organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit përmes internetit dhe kufizimin e qasjes në platformat që veprojnë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi në vend.

“Këto masa synojnë mbrojtjen e qytetarëve në hapësirën digjitale, duke përfshirë edhe mbrojtjen nga rreziqet që lidhen me ndarjen e të dhënave personale dhe financiare në platformat ilegale të lojërave të fatit. Theks i veçantë i kushtohet mbrojtjes së të miturve dhe parandalimit të ekspozimit të tyre ndaj bixhozit online”.

Sipas urdhrit të dorëzuar nga MTD, AKE-ja është e obliguar që brenda pesë ditëve nga pranimi i tij tua përcjellë atë operatorëve të rrjeteve të komunikimeve elektronike, ndërsa operatorët duhet të veprojnë menjëherë në përputhje me urdhrin dhe të kufizojnë qasjen në faqet e internetit të përmendura, duke shfaqur një njoftim përkatës që tregon arsyen e bllokimit.

Nga MTD kanë apeluar që qytetarët të tregojnë kujdes dhe të mos ndajnë të dhënat e tyre personale dhe financiare në faqe interneti të paverifikuara dhe prindërit dhe kujdestarët tu kushtojnë vëmendje të shtuar aktiviteteve online të fëmijëve.