Blinken u kërkon zyrtarëve izraelitë të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm me Libanin
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, u ka folur zyrtarëve izraelitë për rëndësinë e shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm me Libanin, transmeton Anadolu.
Siç njoftoi Departamenti i Shtetit, Blinken u takua me këshilltarin izraelit për Sigurinë Kombëtare, Tzachi Hanegbi dhe ministrin e Çështjeve Strategjike, Ron Dermer.
Duke përsëritur “angazhimin e hekurt” të SHBA-së për sigurinë e Izraelit, Blinken diskutoi përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës dhe për të siguruar lirimin e të gjitha pengjeve.
“Sekretari theksoi nevojën për të ndërmarrë hapa shtesë për të rritur ndihmën humanitare në Gaza dhe për të planifikuar qeverisjen, sigurinë dhe rindërtimin pas konfliktit”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan.
Takimi erdhi pasi ushtria izraelite të martë tha se miratoi planet operacionale për një ofensivë në Liban.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se Washingtoni nuk dëshiron të shohë një luftë më të gjerë rajonale dhe u ka kërkuar të gjitha palëve të rivendosin qetësinë përgjatë kufirit dhe të kërkojnë një zgjidhje diplomatike.
Tensionet përgjatë kufirit të Libanit me Izraelin janë rritur mes sulmeve ndërkufitare midis grupit libanez Hezbollah dhe forcave izraelite derisa Tel Avivi po vazhdon me ofensivën vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, ku janë vrarë të paktën 37.400 palestinezë që nga tetori i kaluar.