Çështja e Urës së Ibrit/ Bislimi insistoi që të hapet, Petkoviq vendosi një kusht
Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq ishin në Bruksel për rundin e radhës të dialogut Kosovë – Serbi. Ndonëse s’u takuan me njëri-tjetrin, çështjen e urës së Ibrit ata e kanë diskutuar në takimet e tyre të ndara me ndërmjetësin europian, Miroslav Lajçak. Kryeministri Albin Kurti, siç ka thënë vetë së fundmi, po e pret QUINT-in dhe KFOR-in për hapjen e saj, ndërsa Presidentja Osmani tha se me insistimin e saj kjo çështje është hequr nga tryeza e bisedimeve në Bruksel.
Qeveria e Kosovës po përsërit qe disa muaj se ura mbi lumin Ibër do të hapet, ndërsa ndërkombëtarët po përpiqen po aq kohë ta bindin kryeministrin Albin Kurti që kjo të mos bëhet tash, duke paralajmëruar “rrezik të njëmendtë” për “dhunë dhe probleme tjera”.
Pas reagimeve të ashpra nga vendet e QUINT-it, Bashkimi Europian e NATO, Kurti tha së fundmi se i kanë bërë përgatitjet për hapjen e urës, por tha se “po i presim QUINT-in dhe KFOR-in”.
KFOR-i e ka shtuar praninë në dhe përreth urës kryesore mbi lumin Ibër, ndërsa kjo çështje u bë temë diskutimi sot në Bruksel.
Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq ishin sot atje për rundin e ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkombëtarët kanë insistuar vazhdimisht që çështja e hapjes së urës të diskutohet atje.
Pavarësisht se mungoi një takim trepalësh dhe Bislimi e Petkoviq s’u ulën përballë njëri-tjetrit, ata diskutuan sot për çështjen e urës me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Zyra e Kryeministrit tha në një komunikatë se “sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës”.
“Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në Raportet e Komisionit Evropian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, u tha në komunikatën e ZKM-së.
Petkoviq, ndërkaq, tha se ka kërkuar ripërcaktim të kufirit që e ndan Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut si parakusht për hapjen e urës.
“Në pjesën ligjore kërkojmë respektimin e marrëveshjes ku insistojmë në demarkacion në zonën e Suhodollit si parakusht për hapjen e urës”, tha Petkoviq nga Brukseli, siç raportuan mediat në Beograd.
Komuna e Mitrovicës së Jugut këmbëngul moti se fshati Suhodoll i takon asaj, ndërkohë që të kundërtën e kanë pretenduar serbët që kanë udhëhequr me Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Çështja e diskutimit në Kosovë për hapjen e urës kishte shkuar deri aty sa KFOR-i, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të përballet me çfarëdo zhvillimi që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal.
“Ne nuk do të hezitojmë të përballemi me asnjë zhvillim që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke respektuar plotësisht mandatin tonë që buron nga OKB-ja. Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konstant gjatë gjithë kohës”, thuhej në një komunikatë të KFOR-it më 6 kusht, kur Qeveria po e testonte qëndrueshmërinë e urës.
Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, KFOR-i thoshte se “duhet të bëhet përbrenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”.
Të gjitha vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia) e kanë bërë të ditur se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë kohë. Ambasadorët e këtyre vendeve në fillim të gushtit ishin në Qeveri për një takim me Kurtin, i cili ua kishte paraqitur atyre planin për hapjen e urës.
Ura kishte shkaktuar edhe një përplasje në distancë ndërmjet Bislimit e Lajçakut, të cilët u takuan sot në Bruksel,
Lajçak, duke iu përgjigjur Bislimit, kishte thënë se nuk është e vërtetë që BE-ja është kundër hapjes së urës, duke paralajmëruar se në takimin e radhës çështja e urës së Ibrit do të ishte temë diskutimi.