BotaTop Lajme

Ursula von der Leyen: Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE

Shpërndaje

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha të enjten se Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor po i afrojnë ekonomitë dhe tregjet e tyre përmes planit të Rritjes prej gjashtë miliardë eurosh për rajonin.

Presidentja von der Leyen, e cila mblodhi në një drekë pune në Bruksel udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkroi në rrjetet sociale se këto vende i përkasin Evropës.

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate citoi kryeministrin Albin Kurti të ketë kërkuar të trajtohet kërkesa e Kosovës për anëtarsim në Bashkimin Evropian dhe të hiqen masat ndëshkuese të vendosura më shumë se një vit më parë për shkak të situatës në veriun e saj.

Plani i rritjes i paraqitur nga Bashkimi Evropian synon të ndihmojë në përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane përmes procesit të reformave dhe rritjes ekonomike.

Krijimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal zë vend kryesor në Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, të cilin Komisioni Evropian e shpalosi nëntorin e kaluar, me të cilin synohet mbështetja e reformave në këtë rajon si dhe investimet në infrastrukturën e tyre. Procesi i Berlinit e ka pozicionuar Tregun e Përbashkët Rajonal në qendër të ecurisë së Zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zyrtarë gjermanë kanë paralajmëruar Kosovën se mund të mbetet jashtë procesit të Berlinit për shkak të refuzimit të qeverisë që të heq bllokadën ndaj mallrave serbe, që është vendosur vitin e kaluar.

Sipas komunikatës së qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti e “konfirmoi mbështetjen” për Procesin e Berlinit”, duke shprehur “angazhimin për marrëveshje të reja. Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve për lëvizjen e litë të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin”.

Procesi i Berlinit që sivjet shënon dhjetë vjetorin e tij filloi si një nismë me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.