MaqedoniTop Lajme

Profesori universitar Agim Nuhiu: “Balanseri” nuk është në asimetri me drejtësinë kushtetuese!

Shpërndaje

“Balanseri” nuk është në asimetri me drejtësinë kushtetuese! Kjo është e thjeshtë për ta kuptuar! Në auditoret me studentët e drejtësisë, shpeshherë flasim për drejtësinë kushtetuese. Megjithatë, “diskrete” jo rrallë herë mbetet drejtësia e munguar kushtetuese!
Secili jurist e di se drejtësia kushtetuese është institucioni dhe teknika që garanton supremacinë e normës kushtetuese, si norma eprore në sistemin juridik të një vendi dhe me këtë garanton respektimin e hiearkisë së burimeve të së drejtës. Ndërkaq, kushtetuta, si akti më i lartë juridik paraqet edhe bazamentin e lirive dhe të drejtave elementare të njeriut.
Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, në nenin 8, paragrafi 2, ka përcaktuar se përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i qytetarëve, të cilët u takojnë të gjitha bashkësive, shtrihet në organet e pushtetit shtetërorë dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet. Nga ky përcaktim është ngritur një parim themelor kushtetues. Operacionalizimi i këtij parimi kushtetues është bërë me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik.
Sipas nenit 5 të këtij ligji, institucionet publike, bazuar në nevojat e tyre të shprehura në planet vjetore të punësimit detyrohen të respektojnë parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të pjesëtarëve të komuniteteve në vend.
Institucionet publike përgatisin plan vjetor për përfaqësim të drejtë dhe janë të detyruar të zbatojnë procedurat e punësimit në përputhje me ata plane vjetore të mbështetur në Metodologjinë për planifikim të punësimeve në sektorin publik në përputhje me parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, kurse shpërndarja e punësimeve të reja të planifikuara bëhet në mënyrë elektronike përmes softuerit “Balanser”.
Në këtë mënyrë është ditur “borxhi” që duhej t’ju kthehej shqiptarëve dhe bashkësivë tjera etnike në fushën e punës dhe marrëdhënien e punës në institucionet publike, pa i shkelur kriteret tjera ligjore që i referohen profesionalizmit dhe kompetencës, edhe pse mekanizmi i “balanserit” është kritikuar për manipulime përmes deklarimeve të përkatësive kombëtare.
Mekanizmi për zbatimin e parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të pjesëtarëve të komuniteteve të bazuar në planet vjetore të punësimit nuk përfshinë personelin civil dhe ushtarak në shërbimin e Armatës së shtetit, personat e autorizuar zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Byronë për Siguri publike, në Agjencinë për Siguri Kombëtare, në Agjencinë për zbulim dhe në Drejtorinë e Policisë Finansiare. Mospërfshirja e kategorive të lartpërmendura nënkupton drejtësi të munguar kushtetuese. Edhe keto institucione kanë detyrimin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, por ky detyrim i ka bërë ata që “borxhin” ta kthejnë për periudhë më të gjatë kohore, shkaku i mungesës së “balanserit”!
Gjatë gjithë kësaj kohe jam menduar gjatë dhe me miq e kemi ngritur dilemën se si ka mundësi që “syri” i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të mos e sheh as masën afirmative kundrejt pabarazisë dhe diskriminimit në fushën e punës e as mungesën e drejtësisë kushtetuese në disa institucione!?
Ne vlerësojmë se fakti i manipulimeve përmes deklarimeve të rreme të përkatësisë kombëtare nuk duhet ta bëjë temë shqyrtimi mekanizmin e “balanserit”, sespe në fakt është vetëm një zgjidhje softuerike që e vë në zbatim Metodologjinë për planifikim të punësimeve në sektorin publik në përputhje me parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat si parim themelor kushtetues! Tjetër gjë është drejtësia e munguar kushtetuese në disa institucione të shtetit, të cilën gjë, disa nuk duan ta shohin!

A.N