MaqedoniTop Lajme

Mexhiti: Investim 20 milionë euro për parkingun tek sheshi “Skënderbeu”, zgjidhet problemi jetik i Çarshisë

Shpërndaje

Një shpresë e re për përfundimin e projektit të sheshit “Skënderbeu” në Shkup, më saktësisht ndërtimin e parkingut nëntokësor në këtë pjesë shumë të frekuentuar të kryeqytetit.

Paralajmërimin për këtë parkim e dha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në një intervistë për TV21 kur po fliste për projektin e Qeverisë për mbështetjen financiare ndaj komunave për të realizuar projekte.

“Kemi marrëveshje dhe besoj se në një ndër mbledhjet e ardhshme do të kalojë edhe parkingu për Çarshinë e Vjetër, parkingu nëntokësor, që është faza e tretë e sheshit, që është projekt diku 20 milionë euro dhe e zgjidhë problemin jetik dhe kryesor të Çarshisë së Vjetër, pra çështjen e parkingut”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.

Historia e ndërtimit dhe përfundimit të sheshit “Skënderbeu” është e gjatë.

Kanë kaluar 14 vjet që kur është publikuar kjo video 3D që tregon se si do të dukej sheshi.

Por realizimi që është bërë deri më tani dallon nga ideja fillestare. Shumë gjëra janë bërë ndryshe. Mes tyre për shembull është edhe bërja e sheshit në sipërfaqe të të njëjtit nivel, pa shkallë dhe mozaikun që është sot.

Sido që të ketë ndryshuar plani, ajo që nuk u bë asnjëherë është parkimi nëntokë, që duket në projektin 3D të para një dekade e gjysme.

Faza e parë e sheshit përfundoi në vitin 2013. Faza e dytë nisi gjatë vitit 2016, ndërsa sheshi u inaugurua në gusht 2017. Faza e tretë nuk nisi asnjëherë. Ajo u premtua edhe nga kryetari aktual i Çairit, Visar Ganiu, në planin e tij për zgjedhjet lokale të quajtur “Kontrata 2017-2021”.

Nga ky projekt kompjuterik i publikuar në “Kontratën” e Ganiut, parashihet ndërtimi i garazhit nëntokësor që do të siguronte 380 vend parkime.

Afati fillestar për përmbylljen e projektit Sheshi “Skënderbeu” ishte viti 2014, pra është dashur të mbyllej para 10 vitesh.

Sa i përket vlerës, fillimisht është paraparë të kushtonte mbi 10 milionë euro, por çmimi final del të jetë më i lartë. Faza e parë ka kushtuar afërsisht 2.5 milionë euro. Faza e dytë rreth 10.8 milionë euro. Në “Kontratën 2017-2021” të kryetarit të Çairit Ganiu, për përfundimin e fazës së tretë parashihej ndarja e rreth 12.8 milionë eurove. Tash për këtë fazë, sipas paralajmërimit të zëvendëskryeministrit Mexhitit, do të ndahen 20 milionë euro.