Osmani: Protesta e 1 tetorit 1997 ndryshoi rrjedhën e historisë

Shpërndaje

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se protesta e 1 tetorit 1997, ndryshoi rrjedhën e historisë dhe ishte momenti kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë.

E para e Republikës u shpreh se guximi dhe vendosmëria e studentëve të Universitetit të Prishtinës shënoi protestën vendimtare kundër mbylljes dhe okupimit të shkollave shqipe dhe universitetit nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit.

“Protesta e 1 tetorit 1997, ndryshoi rrjedhën e historisë dhe ishte momenti kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë. Në krye me rektorin Ejup Statovci, protesta shërbeu si një paralajmërim i hershëm për zhvillimet e mëpasme, të cilat kulmuan me luftën çlirimtare dhe me pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Osmani, njofton Presidenca.

Sipas Osmanit, 1 tetori i vitit 1997 është simbol i qëndresës së popullit të Kosovës dhe kujtesë se lufta për liri dhe pavarësi ishte e gjatë, ndonëse e mundimshme, por triumfale.