Maqedoni

100 ditshi i Qeverisë, për pushtetin i suksesshëm, për opozitën jo

Shpërndaje

Për 100 ditë qeverisje realizuam, miratuam dhe filluam më shumë se 100 projekte, masa dhe vendime për qytetarët. Kemi 100 ditë të suksesshme pas nesh dhe jam 100% i kënaqur. Kështu kryeministri, Hristijan Mickoski, e vlerëson 100 ditshin e qeverisjes së tij me partnerët e koalicionit. Rritja e pensioneve, zgjerimi i listës pozitive të barnave, investimet e huaja, punësimet e reja të specializantëve, mbështetja financiare e pushtetit lokal, janë disa nga benefitet që kjo Qeveri arriti të sigurojë për qytetarët. Si suksese të Qeverisë në 100 ditët e para të mandatit, Mickoski përmendi edhe tejkalimin e problemeve me tekstet shkollore, subvencionet për fermerët, rritjen e inkasimit të Drejtorisë doganore, tejkalimin e problemit me dhënien e dokumenteve personale dhe dokumenteve të udhëtimit.

“Treguam se jemi të vendosur dhe të përkushtuar të ballafaqohemi me sfida, pa marrë parasysh pengesat me të cilat ballafaqohemi dhe kurthet që janë të vendosura para nesh. Sa më shumë e shohim se situata është e rënduar nga që e prisnim, vendosmëria jonë është edhe më e fortë. Qëllimi i sotëm është i qartë 100%, përkushtim për realizimin e projekteve dhe plotësimin e premtimeve. Këto 100 ditë nuk ishin të lehta, por ishin vetëm fillim. Fokusi ynë dhe detyra parimore është t’i stabilizojmë financat, t’i mbyllim zbrazëtirat buxhetore dhe të ballafaqohemi me deficitet dhe kaosin e trashëguar nga Qeveria e kaluar.”, – deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Nga LSDM-ja, 100 ditshin e Qeverisë e cilësojnë si periudhë të skandaleve, zhgënjimeve, premtimeve të thyera dhe ngecjeve. Akuzoi për shkelje të premtimeve, partizim të administratës, ulje të pagave dhe standardit të qytetarëve.

“Kemi 100 ditë justifikime në vend të zgjidhjeve, izolim në vend të integrimit dhe një shoqëri të dominuar nga pasiguria. Paralelizmi mes premtimeve dhe realitetit është i zymtë. Maqedonia e udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja nuk do të jetë krenare dhe është e qartë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. Ka pasur gabime, por asnjëherë nuk kemi bërë gabime në raport me interesat strategjike të shtetit dhe qytetarëve. LSDM-ja ka 3 dekada që lufton për një Maqedoni evropiane dhe ne jemi të gatshëm të përballemi drejtpërdrejt me pushtetin dhe të kundërshtojmë të gjitha politikat e gabuara.”, – theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Mirëpo Mickoski porositi se kanë nevojë për opozitë konstruktive me të cilën do të garojnë me projekte dhe politika të zhvillimit, jo për tema që ndajnë qytetarët.

“I dëgjoj të gjitha zërat që vijnë nga opozita e dëshpëruar prej ku njëra lufton për të mbijetuar në skenë, ndërsa tjetra përmes retorikës nacionaliste, mundohet të kthehet në skenën politike, sepse nuk kanë çfarë tjetër të ofrojnë. Ata mendojnë se nëse dërgon mesazhe të tilla do të krijojnë mosmarrëveshje, mosbesim brenda këtij koalicioni. Unë mund vetëm t’i dëshpëroj dhe t’u them se jo vetëm që nuk janë të suksesshëm, por që sjellja e tyre e forcon qëllimin tonë të përbashkët.”, – u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.

Më 2 tetor, “Fronti Evropian” ka paralajmëruar se do të diskutojë për 100 ditshin e qeverisjes të koalicionit VMRO-VLEN dhe “E di”. Sipas “Frontit Evropian”, 100 ditët e qeverisjes janë 100 ditë dështime, 100 ditë skandale dhe 100 ditë nënçmime të shqiptarëve.