Destani në panairin e parë shqiptar të Gastronomisë në Berlin: Vendet tona kanë nevojë për investimet e diasporës
Në Berlin të Gjermanisë, po mbahet edhe sot panairi “Global Albanian Gastronomy Festival”, i cili u inaugurua ditë më parë, ndërsa pati edhe diskutime, ku të ftuar në panel ishin figura të njohura, sidomos nga diaspora.
Në inaugurimin e këtij panairi, ka marrë pjesë edhe filantropi shqiptar, Lazim Destani i cili po ashtu ishte pjesë e panelit gjatë diskutimeve.
Destani tha se inaugurimi i këtij panairi u nderua gjithashtu edhe me praninë e figurave shtetërore nga trojet tona e nga Gjermania, ndër të cilët edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë diskutimit, ai theksoi se trojet shqiptare prej nga vinë diaspora, kanë nevojë për investime, por edhe për ekspertizën e diasporës, transmeton Zeri.info.
“Unë pata nderin të jap kontributin tim si pjesëmarrës në njërin prej paneleve të këtij eventi, ku diskutuam mbi gjetjen dhe rritjen e mundësive të sjelljes së kapitalit të diasporës në vendet e rajonit tonë. Gjatë diskutimit këtu theksova se vendet tona kanë nevojë për investime, kanë nevojë për kapitalin e diasporës, jo vetëm për kapitalin financiar por edhe për ekspertizën që diaspora jonë ka fituar në vendet e zhvilluara perëndimore. Me këtë rast gjithashtu vura theksin te niveli i shkathtësive imanente që duhet ta kenë segmentet përkatëse të qeverive të vendeve tona për shkurtimin e procedurave për sjelljen e vendimeve”, ka shkruar Desanti.
Ai në fund uroj që këto aktivitete të jenë edhe në shërbim të lehtësimit të kushteve nëpër vendet tona për sjelljen e investimeve të reja, e veçanërisht nga investitorë shqiptarë, tashmë të dëshmuar nëpër botë.