Bullgaria nuk pranon ndërmjetësim / Mickoski: Jam i gatshëm për bisedime me Bullgarinë, por jo me shantazhe

Shpërndaje

MPJ bullgare edhe zyrtarisht reagoi për deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski për ndërmjetësimin e Hungarisë për çështjet e hapura me Bullgarinë. Theksohet se integrimet europiane nuk lejojnë ndërmjetësim mes BE-së dhe vendeve kandidate. Në kumtesën thuhet se deklaratat e vazhdueshme të përfaqësuesve maqedonas e vendosin në pikëpyetje parimin “pacta sunt servanda” përkatësisht plotësimin e obligimeve në përputhje me Marrëveshjen.

Për këtë Mickoski u përgjigj se oferta e Orbanit ishte nga pozita e kryesuesit të Bashkimit Europian. Ai theksoi se është i gatshëm të bisedojë me Bullgarinë, por jo me shantazhe dhe ultimatume.

Ministri për punë të jashtme, Timço Mucunski në seancën parlamentare të Këshillit Europian tha se nuk ka asnjë rast të shkeljes së të drejtave të minoritetit bullgar në Maqedoni. I pyetur nga një deputet bullgar se kur Maqedonia do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, Mucunski u përgjigj me kundër pyetje, sa ndryshime të tjera kushtetuese duhen bërë dhe nëse dikush mund të garantojë se ky është ndryshimi i fundit kushtetues që do të kërkohet për anëtarësim në BE.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Xhejms Xhons, ish-këshilltari i ish-presidentit Obama, ka thënë se do të ishte e mençur që Maqedonia ta përmbushë atë që kërkon Bashkimi Europian, megjithëse ai tha se nuk e kupton pse Bullgaria e vë këtë në mëdyshje. Ai është i bindur se Maqedonia megjithatë do të pranohet në Bashkimin Europian.