Kurti: 304,016 përfitues nga rritja e pensioneve me 20 për qind
Në një konferencë për media, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, prezantuan vendimin për rritjen e pensioneve.
“Sot kam kënaqësinë t’ju jap një lajm të mirë të gjithë pensionistëve. Duke filluar nga ky muaj, pra muaji tetor 2024, do të rrisim për 20% të gjitha pensionet si vijon: Pensioni Bazik i Moshës; Pensioni Kontributpagues, i Plotë dhe Parcial; Pensioni i Aftësisë së Kufizuar, për Fëmijë dhe për të Rritur; Pensioni për Personat e Verbër; Pensioni për Personat Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë; Pensioni Familjar; Pensioni Invalidor i Punës; Pensioni i Parakohshëm për punëtorët e Trepçës.” u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se nga muaji janar i vitit 2025, pra për më pak se 3 muaj, do të rriten për 20% pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht, familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.
“Te këto kategori, për familjet e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të të zhdukurve të UÇK-së, që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur, do të ndryshohet edhe formula e pensionit, duke e rritur për 50% të pensionit bazë për çdo dëshmor apo të zhdukur tjetër që ka familja, e jo të rritet me nga 20% apo 10% siç ka qenë deri më tani. E njëjta formulë do të përdoret edhe për familjet e viktimave dhe të zhdukurve civilë, ku për çdo viktimë apo të zhdukur tjetër që ka familja, pensioni do të rritet për 50% të pensionit bazë.” tha kryeministri.
Nga ana e tij, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky ndryshim prek një numër prej 304,016 përfitues që do të ndikohen nga kjo rritje, ndërkaq impakti i tërësishëm buxhetor për tërë vitin fiskal parashihet të jetë në shumën prej 100 milionë euro shtesë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuara media,
Të nderuar qytetarë,
Gjatë dy ditëve të kaluara, si kabinet qeverisës, patëm rastin që në kuadër të mbledhjes së zgjeruar të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të prezantonim të arriturat, por edhe sfidat të cilat kanë përkufizuar këtë mandat tonin qeverisës.
Ajo që ra në pah, ishte se krahas arritjeve të shumta, mund të thuhet që kishim edhe numrin më të madh të sfidave me të cilat jemi ballafaquar si qeveri, krahasuar me të gjitha qeveritë e tjera pararendëse.
Fillimisht ishte lufta ndaj pandemisë Covid-19, të cilën e mposhtëm me sukses duke vaksinuar shumicën dërrmuese të popullatës në afat rekord, por njëkohësisht duhej mbështetur edhe ekonominë e vendit dhe familjet që ta tejkalonin atë sa më lehtë.
Pastaj kishim agresionin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, që shkaktoi një varg efektesh negative në nivel global. Nga kriza energjetike, e cila arriti të gjunjëzojë shumë shtete të zhvilluara, e deri te rritja e çmimeve të produkteve ushqimore.
Në të dyja rastet, si qeveri u siguruam që t’iu dalim në krah atyre që më së shumti kishin nevojë, duke subvencionuar energjinë elektrike, izolimin e shtëpive, si dhe duke ofruar mbështetje shtesë në formë të pagesave të njëhershme, gjithnjë duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme, por edhe duke qenë të kujdesshëm që të mos përkeqësonim edhe më tej situatën inflacionare.
I rritëm pagat në sektorin publik, bashkë me ligjin e ri të pagave, por miratuam edhe pagën e re minimale në nivel prej 350 euro për sektorin privat.
I dyfishuam edhe shtesat për fëmijë e madje trefishuam për familjet me 3 e më shumë fëmijë.
Edhe për pensionistët kishim kujdes të veçantë përgjatë gjithë kohës, duke ofruar fillimisht rritje të pensioneve ashtu që asnjë pension të mos ishte nën 100 euro, e pastaj edhe duke shpërndarë 4 herë shtesa të njëhershme nga 100 euro për të gjithë pensionmarrësit, ashtu që sadopak të lehtësohej barra që kishte shkaktuar efektet globale të krizave të njëpasnjëshme.
Tani që situata me inflacionin është zbutur, duke rënë në 1.4% në muajin gusht, dhe ekonomia e vendit po i rikthehet ritmit të rritjes aty ku e filluam pas pandemisë, mund të themi se po notojmë në ujëra më të qeta dhe se mund të bëjmë planifikime më të qëndrueshme buxhetore.
Prandaj, sot kam kënaqësinë t’ju jap një lajm të mirë të gjithë pensionistëve.
Duke filluar nga ky muaj, pra muaji tetor 2024, do të rrisim për 20% të gjitha pensionet si vijon:
– Pensioni Bazik i Moshës;
– Pensioni Kontributpagues, i Plotë dhe Parcial;
– Pensioni i Aftësisë së Kufizuar, për Fëmijë dhe për të Rritur;
– Pensioni për Personat e Verbër;
– Pensioni për Personat Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë;
– Pensioni Familjar;
– Pensioni Invalidor i Punës;
– Pensioni i Parakohshëm për punëtorët e Trepçës.
Ndërkaq nga muaji janar i vitit 2025, pra për më pak se 3 muaj, do të rriten për 20% pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht, familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre. Kjo për arsyen se për ndryshimin e këtyre pensioneve duhet të ndryshohet edhe tabela që është pjesë e ligjit si Shtojcë.
Te këto kategori, për familjet e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të të zhdukurve të UÇK-së, që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur, do të ndryshohet edhe formula e pensionit, duke e rritur për 50% të pensionit bazë për çdo dëshmor apo të zhdukur tjetër që ka familja, e jo të rritet me nga 20% apo 10% siç ka qenë deri më tani. E njëjta formulë do të përdoret edhe për familjet e viktimave dhe të zhdukurve civilë, ku për çdo viktimë apo të zhdukur tjetër që ka familja, pensioni do të rritet për 50% të pensionit bazë.
Normalisht, që puna jonë për rritje të mbështetjes së pensionistëve nuk përfundon me kaq. Ajo vazhdon edhe më tej, konkretisht me punën tonë drejt kompletimit të reformës pensionale, e cila do të sigurojë që ata e ato të cilët kontribuan më së shumti për këtë vend, të kenë edhe trajtimin përkatës.
Ju faleminderit!
https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/10/Permbledhje-e-vendimit-te-paraqitur-ne-konferencen-per-media.pptx