Maqedoni

Dhjetë raste të reja me kollë të keqe në Maqedoni, tre persona të shtruar në spital

Shpërndaje

Në periudhën 18-24 tetor janë raportuar 10 raste të reja me kollë të keqe, 42.9 për qind më shumë krahasuar me shtatëditorin e kaluar. Nga rastet e reja, tre persona janë shtruar në spital, njoftoi pasditen e sotme Instituti për Shëndet Publik në RMV-së.

Shumica e rasteve janë raportuar në Kumanovë – pesë, pasuar nga katër raste nga Shkupi dhe një rast nga Kriva Pallanka.

Mosha e pacientëve varion nga dy muaj deri në 70 vjeç. Shumica e rasteve i përkasin grupmoshës deri në katër vjeç.

Sa i përket statusit të vaksinimit të pacientëve, shtatë ishin të pavaksinuar, të pavaksinuar plotësisht ose me status të panjohur vaksinimi, dy persona të vaksinuar sipas moshës dhe një rast i vaksinuar plotësisht.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri më 24 tetor janë regjistruar gjithsej 1.148 raste të kollës së keqe, me një incidencë prej 62.5/100.000 banorë. Kjo paraqet një rritje disafish të numrit të të sëmurëve krahasuar me pesëvjeçarin e kaluar – 2019 – 2023, kur janë regjistruar gjithsej 10 raste”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.

Nga atje thonë se shpërndarja sipas gjinisë tregon se 523 persona janë meshkuj dhe 625 femra.