Limani: Kopshti “Rinia”, Tetovë me 42 vende të reja pune, me objektin e ri “Rilindja” listat e pritjes për regjistrim në çerdhe do t’i mbeten të kaluarës
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, vizituan IPKKF “Rinia ” – Tetovë.
Shkak i vizitës janë 42 punësimet e reja të edukatoreve dhe përkëdhelëseve në këtë institucion publik, 13 në bazë të pensionimit gjegjësisht vendeve të zbrazura të punës dhe 29 punësime për objektin e ri “Rilindja”, i cili do të hapet së shpejti.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, ministri Limani u shpreh i kënaqur që më në fund është zgjidhur problemi me personelin në këtë institucion publik.
“Më gëzon fakti që pas 2 vitesh ngecje të procesit të punësimit në këtë institucion publik, më në fund arritëm të realizonim nevojat e personelit në të. Me kënaqësi ju njoftoj se është siguruar punësimi për objektin e ri “Rilindja”, i cili së shpejti do të hapet zyrtarisht”, nënvizoi Limani.
Ai theksoi se sigurimi i kuadrit profesional në kopshtet e fëmijëve dhe investimi në forcimin e kompetencave të tyre kontribuon në cilësinë e procesit arsimor, si dhe se ministria do të vazhdojë të punojë me përkushtim në drejtim të ofrimit të edukimit parashkollor sipas standardeve të parapara.
Institucioni publik “Rinia” është një nga institucionet më të mëdha në vend për edukimin parashkollor për sa i përket kapacitetit të fëmijëve për të cilët kujdeset, me hapjen e objektit të ri “Rilindja”, listat e pritjes për regjistrim në kopshtin e fëmijëve do t’i takojnë të kaluarës.
Ministri Limani u uroi edukatoreve dhe përkëdhelëseve të sapo punësuara punë të suksesshme dhe të frytshme.