Murati akuzon Prokurorinë Speciale se po e lufton Kurtin dhe po ia bën argatin opozitës
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar Prokurorinë Speciale se po “ia bën argatin opozitës”.
Ai ka thënë se Prokuroria Speciale s’po interesohet ta luftojë korrupsionin, por po interesohet “ta luftojë Albin Kurtin”.
Në një postim në Facebook ai ka thënë se opozita po shpif e po bën propagandë për prokurimin që bëhet përmes procedurave të negociuara.
“…Nëse me të vërtetë duhet konsideruar kontratat me procedurë të negociuar si potencial për korrupsion, atëherë hetimet do duhej të fillonin pikërisht nga këto vite, 2008 dhe 2015 për të gjetur korrupsionin më të lartë. Por Prokuroria Speciale nuk i bën ato hetime, sepse Prokuroria Speciale nuk është e interesuar ta luftojë krimin e korrupsionin. Prokuroria Speciale është e interesuar ta luftojë Albin Kurtin, për t’ia bërë një argat opozitës. Kjo dëshmohet edhe në shkresat që u dërgojnë institucioneve kur kërkojnë dokumentacionin për ‘kontratat njëburimore’ (termi i përdorur nga opozita), e jo ‘kontratat me procedurë të negociuar’ siç është termi zyrtar”, ka shkruar Murati në Facebook.
E anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka reaguar ndaj Muratit në Facebook.
Ai ka thënë se janë dhënë gjatë mandatit të Qeverisë Kurti “2123 kontrata njëburimore, me vlerë totale 273 milionë euro”.
“Ministri i Financave, i cili deri më tani asnjëherë nuk ka folur për ndonjë politikë zhvillimore, kësaj radhe e paska marrë përsipër propagandën për arsyetimin e kontratave njëburimore. Deri më tani i kanë dhënë hiq më pak se 2123 kontrata njëburimore, me vlerë totale prej 273 milionë euro! Këto kontrata, të dhëna me negocim direkt dhe pa ndonjë arsye për shmangie nga procedurat e tenderimit të hapur, nuk kanë sesi të kenë emër tjetër përveç korrupsionit dhe abuzimit me paranë publike. Ka ardhur koha që të kalojmë nga vlerësimi i fjalëve, te vlerësimi i veprave të tyre!” – ka shkruar Mustafa.