Moti i keq “gjunjëzon” Greqinë! Pamje katastrofike nga përmbytjet, uji mbulon makinat! Raportohet për 2 viktima
Stuhia “Bora” ka ‘zbarkuar’ në Greqi, duke shkaktuar përmbytje katastrofike në disa ishuj të vendit.
Moti i keq me reshje të dendura shiu nisi mbrëmjen e së premtes, ndërsa ditën e djeshme (30 nëntor) shënoi kulmin.
Siç raportojnë mediat greke ishujt e prekur nga moti i keq janë Limnos, Tinos dhe Rodos.
Në ishullin e Limnos raportohet për dy të vdekur nga përmbytjet, ndërsa dëmet materiale që ka shkaktuar shiu janë të mëdha, shkruan protothema.gr.
Raportohet për dëme të mëdha në banesa, dyqane dhe infrastrukturë.
Zona e Kontias duket se është goditur më rëndë, me banorët që flasin për dëme të shumta në pronat e tyre, megjithatë shumë banesa u përmbytën edhe në zona të tjera të ishullit, ndërsa tokat bujqësore u zhytën nën ujë.333
Autoritetet në Limnos u kanë dërguar mesazh paralajmërues banorëve, të cilëve u kërkohet të shmangin lëvizjet në disa rrugë të ishullit për shkak të përmbytjeve.
Nesër 2 dhjetor shkollat në Limnos do të jenë të mbyllura, sipas autoriteteve lokale.
Mobilizimi i Autoriteteve
Autoritetet e kanë shpallur ishullin në gjendje alarmi dhe kanë nisur operacionet për të rivendosur dhe mbështetur të prekurit. Ekipet e Bashkisë, Zjarrfikësve dhe Mbrojtjes Civile po operojnë në vendet më të prekura, ndërsa ushtria është mobilizuar për të forcuar përpjekjet e shpëtimit dhe pastrimit.
Kryebashkiaku i Rodosit, Alexandros Koliadis, i kërkoi qeverisë shpalljen e ishullit në gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të fatkeqësive të shkaktuara nga stuhia “Bora”.
Organi koordinues i mbrojtjes civile u mblodh sërish sot në mesditë në bashkinë e Rodosit, me pjesëmarrjen e guvernatorit rajonal të Egjeut Jugor, Giorgos Chatzimarkos dhe kryetarit të bashkisë Alexandros Koliadis, për të vlerësuar situatën dhe për të përcaktuar veprimet e radhës.
“Rodosi u testua rëndë nga një fenomen i paprecedentë”, tha Giorgos Chatzimarkos, i cili u kërkoi edhe një herë qytetarëve që të evitojnë daljet dhe të qëndrojnë në shtëpi për sigurinë e tyre dhe për të lehtësuar punën e shërbimeve dhe vullnetarëve.
Nga ana e tij, kryebashkiaku tha se nga nesër do të hapet platforma për dëmshpërblimin e banesave dhe strukturave shtëpiake, ndërsa menjëherë do të ngrihen komisionet për evidentimin e dëmeve.