Rrëzohet qeveria në Francë
Qeveria e Francës me kryeministrin, Michel Barnier është rrëzuar të mërkurën pasi partitë e majta dhe të djathta ekstreme votuan në mbështetje të një mocioni mosbesimi.
Vota e mosbesimit ka kaluar me 331 vota. Për të kaluar mocionin e mosbesimit nevojiteshin të paktën 288 vota, raporton BBC.
Deputetët nuk mundën të votonin kundër, ata ose duhet të votonin pro ose të abstenonin.
Kjo shënon herën e parë që qeveria franceze bie nga një votë mosbesimi që nga viti 1962.
Udhëheqja e Barnier u vu në pikëpyetje pasi ai përdori kompetenca të veçanta për të kaluar buxhetin e vitit 2025 pa votim.
Projektligji buxhetor i Barnierit synonte të frenonte deficitin spiral të Francës përmes rritjes së taksave dhe shkurtimeve të shpenzimeve prej 60 miliardë eurosh.
Kryeministri francez u detyrua të bënte lëshime ndaj kritikëve, përfshirë udhëheqësen e “Frontit Kombëtar”, Marine Le Pen, e cila kërkoi që ai të hiqte një taksë të re për energjinë elektrike.
Pavarësisht ndryshimeve, buxheti mbeti i papranueshëm për opozitën dhe pasi “Fronti Kombëtar” iu bashkua partive të majta për ta kundërshtuar atë, Barnier përdori një procedurë të veçantë, të njohur si neni 49.3 i Kushtetutës për ta kaluar atë.
Barnier ka mbajtur një fjalim në fund të debatit që është zhvilluar para votimit të mocionit në Asamblenë Kombëtare, duke u kërkuar deputetëve që të mos e largojnë, pasi tha se borxhi nuk do të zhduket nëse ai hiqet.
Por Marine Le Pen, nga “Fronti Kombëtar” e ekstremit të djathtë dhe Éric Coquerel, i së majtës radikale e kanë akuzuar atë për dështimin për të dëgjuar shqetësimet e tyre buxhetore.
73-vjeçari Barnier qenë në një pozicion të pasigurt që nga dita kur u bë kryeministër në shtator, me emërimin e tij pas zgjedhjeve në të cilat asnjë parti nuk kishte mandate të mjaftueshme për të qeverisur vetë.