BotaTop Lajme

Presidenti turk dhe shefi i OKB-së diskutojnë çështjet rajonale dhe globale

Shpërndaje

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka folur për herë të parë në telefon me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, gjatë një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku ka diskutuar çështjet rajonale dhe globale, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit nga Drejtoria e Komunikimit e Türkiyes, presidenti turk i tha shefit të OKB-së se “konflikti sirian ka arritur në një fazë të re, të menaxhuar me vetëpërmbajtje”, si dhe theksoi se “dëshira më e madhe e Türkiyes është që Siria të shmangë paqëndrueshmërinë e mëtejshme dhe viktimat civile”.

“Në këtë fazë, regjimi sirian duhet të angazhohet urgjentisht me njerëzit e tij për të punuar drejt një zgjidhje politike gjithëpërfshirëse”, theksoi presidenti turk.

Ai pohoi se Ankaraja është përpjekur shumë për të ulur tensionet, për të mbrojtur civilët dhe për t’i hapur rrugën për procesin politik, duke u zotuar se do të vazhdojë ta bëjë këtë.

Grupet kundër regjimit të udhëhequra nga Hay’at Tahrir al-Sham, të cilat kanë luftuar forcat e regjimit të Bashar al-Assadit që nga 27 nëntori, po depërtojnë më thellë në provincën Hama.

Avionët rusë po mbështesin forcat e regjimit sirian derisa vazhdojnë përleshjet e ashpra.

Grupet e armatosura kundër regjimit rrëzuan një nga dy helikopterët që u ngritën nga Aeroporti Ushtarak në Hama rreth qendrës së qytetit. Helikopteri tjetër, që u godit, bëri një ulje emergjente.

Grupet u përleshën me forcat e regjimit në perëndim të qendrës së qytetit Hama, duke marrë nën kontroll fshatrat Erze, al-Wahshiyya, Kafrtun dhe Yadgun para se të niseshin në jugperëndim për në Aeroportin Ushtarak në Hama.

Më 30 nëntor, grupet kundër regjimit morën nën kontroll pjesën më të madhe të Alepos qendrore pas një avancimi të shpejtë nga zona rurale perëndimore e qytetit.

Grupet morën nën kontroll gjithashtu edhe qytetin Khan Shaykhun, duke fituar pothuajse kontrollin e plotë të provincës Idlib.

Ndërkohë, Ushtria Kombëtare Siriane e opozitës më 1 dhjetor nisi operacionin ‘Agimi i Lirisë’ kundër grupit terrorist PKK/YPG, duke çliruar qytetin Tel Rifaat.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë, foshnja dhe të moshuar.

YPG-ja është dega e PKK-së në Siri, skena e luftimeve aktuale dhe një zonë ku grupi është përpjekur të krijojë një “korridor terrorist” përgjatë kufirit turk, me Türkiyen duke vendosur trupa për të parandaluar këtë dhe për t’i mbajtur vendasit të sigurt nga shtypja terroriste.