RajoniTop Lajme

Thaçi për akuzat e reja: Zgjedhjet janë afër në Kosovë, unë nuk përbej rrezik politik për askënd

Shpërndaje

Gjatë paraqitjes së parë për akuzat e reja, Hashim Thaçi tha se e din që Kosova është në prag të zgjedhjeve elektorale dhe ai nuk paraqet rrezik politik për askënd.

“Me siguri ju e dini që unë tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretuese të historisë politike dhe kombëtare për lirin e shtetit dhe pavarësinë kombëtare më së paku nga vitet 1980 e deri më sot. Pra, është një proces voluminoz. E di se shoqëria kosovare, familja ime dhe unë presim me padurim fundin e këtij procesi. Presim drejtësi për çka edhe besojmë në drejtësi. Krejt papritmas para dy tre ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS-ja. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale. Unë nuk paraqes rrezik politik për askënd”, tha Thaçi.

Ai kërkoi nga të gjitha palët në sallën e gjyqit që të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet e saj pasi DhSK-ja sipas tij është produkt i Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prandaj, edhe sot unë besoj dhe respektoj Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës. Kërkojë edhe sot nga të gjithë të cilët jemi ulur nga cila do anë apo cilën do uniformë që jemi në këtë sallë të respektohet Kushtetuta dhe Ligjet e Kosovës sepse DhSK-ja janë produkt i Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Ish-presidenti tha se nuk ka pasur mundësi që ta lexojë aktakuzën por që vetë deklarimin për akuzat do ta bëjë brenda afatit të rregullt ligjor.

“Unë nuk kam pas mundësi për shkak të angazhimeve të tjera që të diskutojë në thelb dokumentin e konfirmuar nga ana juaj. Prandaj, do të deklarohem me kohë brenda afatit të rregullt Kushtetues dhe ligjor. Ju faleminderit”, tha Thaçi.

Thacit iu mundësua nga gjykatësja e procedurës paraprake që të bëhet pushim në mënyrë që ai ta lexojë aktakuzën ndërsa tashmë i akuzuari u përgjigj me ‘nuk ka nevojë’. Megjithatë, mbrojtësja e tij, avokatja Nina Tavkoli tha se i duhet një konsultë me klientin e tij për çka seanca shkoi në pushim.

Vlen të theksohet se në seancë gjithashtu u lexuan pikat e aktakuzës me të cilat ZPS-ja e akuzon Thaçin si dhe tashmë i akuzuari u njoftua për të drejtat e tij në këtë proces të ri që ka nisur ndaj tij.

Gjatë fillimit të seancës, gjyqtarja dha leje fotografit që të fotografojë palët ndërsa Thaçi nuk dëshiroi që të fotografohej nga afër.

Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK të premten më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë e cila pritet të mbahet të hënën me 9 nëntor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.