Fronti Europian: Bëhu pjesë e “Rojës së Gjuhës” – iniciative për mbrojtjen e barazisë dhe dinjitetit
Bëhu pjesë e “Rojës së Gjuhës” – iniciative për mbrojtjen e barazisë dhe dinjitetit
Nga ky vend dhe nga kjo ditë, ne shpallim iniciativën “Roja e Gjuhës” – një nismë historike për të mbrojtur të drejtën tonë të barazisë dhe identitetit.
Nga sot, më 8 dhjetor, ne do të qëndrojmë këtu, para Gjykatës Kushtetuese, ditë dhe natë, në mënyrë paqësore, për të mbrojtur të drejtat tona dhe për të siguruar që asnjë vendim të mos prishë atë që kemi ndërtuar me sakrifica.
Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave, dhe miq,
Jemi mbledhur sot këtu për të ngritur zërin tonë për një çështje që prek themelet e barazisë në shtetin tone shumëetnik
Nuk është kjo një ditë e zakonshme, as një thirrje e zakonshme.
Sot, më shumë se kurrë, është momenti të qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur atë që kemi ndërtuar me mund dhe sakrifica.
Në datën 11 dhjetor, Gjykata Kushtetuese me
iniciativë të VMRO DPMNE-së ka planifikuar një seancë për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ky ligj nuk është thjesht një akt juridik. Ai është një simbol i Marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje që i dha fund një periudhe të errët të margjinalizimit, përjashtimit dhe diskriminimit, që solli deri te lufta e vitit 2001 dhe hapi rrugën për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë.
Ky ligj është themeli i barazisë gjuhësore, një e drejtë që u garantua përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar.
Çdo përpjekje për ta shfuqizuar atë është një sulm ndaj arritjeve tona historike dhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës ndëretnike.
Shfuqizimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve do të thotë rrëzimi i një prej shtyllave kryesore të kësaj marrëveshjeje.
Të gjithë jemi dëshmitarë të një qasjeje të rrezikshme nga kjo qeveri jolegjitime, e cila çdo ditë po përpiqet të minojë themelet e një shoqërie multietnike.
Në vend që të punojë për një të ardhme të përbashkët, ajo po përçan, po manipulon dhe po sulmon parimet mbi të cilat qëndron ky shtet.
Kjo nuk është thjesht çështje ligji. Është një çështje e të drejtave tona si qytetarë të barabartë të këtij vendi. Është një çështje e identitetit tonë dhe e të ardhmes sonë si shoqëri.
Gjuha është identiteti ynë. Barazia është themeli ynë. Marrëveshja e Ohrit është garancia jonë për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.
Nga ky vend dhe nga kjo ditë, ne shpallim iniciativën “Roja e Gjuhës” – një nismë historike për të mbrojtur të drejtën tonë të barazisë dhe identitetit.
Nga sot, më 8 dhjetor, deri më 11 dhjetor, ne do të qëndrojmë këtu, para Gjykatës Kushtetuese, ditë dhe natë, në mënyrë paqësore, për të mbrojtur të drejtat tona dhe për të siguruar që asnjë vendim të mos prishë atë që kemi ndërtuar me sakrifica.
Ftojmë të gjithë qytetarët, shqiptarë dhe maqedonas, të gjithë ata që besojnë në barazi dhe drejtësi, të na bashkohen në këtë nismë historike.
Ky nuk është një moment për të qëndruar pasivë.
Ky është momenti për të vepruar së bashku.
Tani është koha për të mbrojtur gjuhën, të ardhmen dhe të drejtat tona të barabarta.
Faleminderit