Von der Leyen propozon një kredi prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, të mbështetur nga borxhi i përbashkët
Komisioni Evropian ka propozuar dhënien e një kredie mbështetëse shtesë prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, të garantuar përmes borxhit të përbashkët, ndërsa vendi i goditur nga lufta përpiqet ta mbajë ekonominë në këmbë mes sulmeve të pandërprera ajrore nga Rusia.
Kredia, e prezantuar të mërkurën nga presidentja Ursula von der Leyen, parashikon 20 miliardë euro për ndihmë financiare dhe 25 miliardë euro për blerjen e armatimeve, si dronë, raketa dhe sisteme të mbrojtjes ajrore që janë tejet të nevojshme.
Ajo do të disbursohet gradualisht gjatë vitit 2027 dhe do të shërbejë si shtesë e kredisë aktuale prej 90 miliardë eurosh, për të cilën liderët ranë dakord në dhjetor të vitit të kaluar.
“Ne po i dërgojmë një mesazh të qartë Rusisë: Ne duam paqe”, tha von der Leyen.
“Pesë vjet pas fillimit të kësaj lufte agresioni, Evropa qëndron e bashkuar. Ne mbetemi po aq të përkushtuar sa më parë për të mbështetur Ukrainën, si në luftë ashtu edhe në paqe”.
Von der Leyen u shpreh “shumë e sigurt” se të 27 shtetet anëtare, pa përjashtim, do ta mbështesin propozimin, ndërkohë që vazhdojnë bisedimet për paqen.
Megjithatë, katër prej tyre — Sllovakia, Republika Çeke, Hungaria dhe Bullgaria — e kanë bërë tashmë të qartë se nuk do të marrin pjesë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka reaguar ashpër, duke kërcënuar se do të vendosë veto ndaj buxhetit të ardhshëm të BE-së — përfshirë fondet e shumëkërkuara të kohezionit — nëse nuk arrihet një marrëveshje nga të 27 vendet anëtare për ndihmën e re ndaj Ukrainës.
E kryeministri sllovak Robert Fico e ka cilësuar këtë si “shantazh”.
Von der Leyen u rreshtua në krah të Merz-it dhe theksoi se kredia është ndarë në dy shtylla, atë civile dhe atë ushtarake, për të zbutur shqetësimet e atyre që kundërshtojnë dërgimin e armëve.
Liderët do të zhvillojnë debatin e parë mbi këtë propozim javën e ardhshme, gjatë takimit të tyre në Bruksel.
Në tryezë do të jetë edhe çështja e buxhetit, duke krijuar një situatë politikisht tejet të ndjeshme. /Telegrafi/

