Kurti: Jemi pajisur me një aparaturë e cila është e vetmja në rajonin e Ballkanit
Kryeministri Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vizituan Klinikën e Radiologjisë dhe Mjekësinë Nuklerare ku thanë se po investohet në rritjen e kualitetit të diagnostikimit si dhe cilësinë e shërbimeve për pacientë.
Shefi i ekzekutivit u shpreh se në Radiologji, Kirurgji dhe Biokimi Mjekësore është investuar në vlerë prej më shumë se 390 mijë euro.
Pas vizitës në klinikat e QKUK-së, kryeministri Kurti tha se në Radiologji janë rinovuar pritoret dhe korridoret.
“Këtu ku ndodhemi [Radiologji] kemi bërë adaptimin e korridoreve dhe pritoreve, përveç Klinikës së Radiologjisë gjithashtu edhe në Biokimi Mjekësore dhe në Kirurgji. Vlera e gjithmbarshme është diç më shumë se 393 mijë euro dhe punimet janë kryer mbi 90 për qind në të tri këto klinika. Pikërisht këtu ku ndodhemi tani, në Radiologji, kjo është përmbyllur me sukses”, deklaroi Kurti.
Komunikatë nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës
Prishtinë, 9 dhjetor 2024
Sot, në Klinikën e Radiologjisë u përurua hapësira e re pritëse, sporteli dhe sistemi digjital i radhëve.
Për herë të parë, u instalua sistemi digjital i pritjes, i cili shmang tollovitë dhe organizon më mirë rrjedhën e pacientëve. Ky sistem është pjesë e një projekti që përfshin 15 klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), me vlerë 80 mijë euro.
Transformimi i hapësirave pritëse dhe sportelit në Radiologji është pjesë e një investimi më të gjerë që përfshin edhe renovimet në sportelet e Klinikës së Kirurgjisë, kirurgjisë plastike, urologjisë, kirurgjisë torakale, vaskulare dhe neurokirurgjisë, si dhe Klinikën e Biokimisë. Vlera e këtyre investimeve arrin në 393 mijë euro.
Me këtë rast, Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, dhe drejtues të ShSKUK-së dhe QKUK-së, vizitoi hapësirat e transformuara në Klinikën e Radiologjisë.
Gjatë vizitës, Kryeministri ndaloi edhe në Klinikën e Mjekësisë Nukleare, ku është instaluar dhe funksionalizuar pajisja më e avancuar diagnostikuese në rajon – SPECT/CT Any-scan Trio, pajisja e vetme me tre detektorë për ekzaminime të detajuara. Vlera e kësaj pajisjeje është 850 mijë euro, duke e bërë Kosovën vendin e vetëm në rajon që zotëron një teknologji të tillë.
Në të njëjtën klinikë, është funksionalizuar edhe shërbimi i PET/CT, përmes pajisjes së pranuar si donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, falë angazhimit të ish-Presidentes Atifete Jahjaga dhe Presidentes Osmani.
Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar për krijimin e kushteve moderne në shëndetësinë publike, me pajisje të avancuara dhe qasje më të lehtë për qytetarët në shërbimet shëndetësore.