Bota

Putin i çon sinjale Perëndimit para mandatit të ri të Trumpit

Shpërndaje

Konferenca vjetore e presidentit rus, Vladimir Putin me gazetarët dhe publikun, konsiderohet si mundësi që shtetasit rusë të pyesin presidentin për çështjet që kanë më së shumti rëndësi për ta.

Ndonëse pjesa më e madhe e kësaj maratone televizive fokusohet në çështje të brendshme, Putini gjithmonë e shfrytëzon atë për t’i dërguar sinjale Perëndimit dhe pjesës tjetër të botës.

Këtë vit, mesazhet e Putinit kanë pasur ngjyrime të pritjeve që presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump do të çojë përpara nismën për dhënie fund të luftës së Rusisë në Ukrainë, apo të paktën të arrijë një armëpushim.

Trump e merr zyrtarisht detyrën më 20 janar.

Putin e ka vënë në pah mundësinë për koncensione ruse, duke thënë më shumë se një herë që Rusia është e gatshme për kompromise, teksa ka folur në konferencën që ka zgjatur mbi katër orë e gjysmë.

Mirëpo, ai ka përmendur një mori kushtesh, në mënyrë që të arrihen kompromiset, duke veçuar synimin e Moskës për të pasur nën kontroll Ukrainën, si dhe garanci të sigurisë prej NATO-s dhe Perëndimit.

Mes tjerash, Putin ka thënë se nuk e konsideron presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, si partner legjitim për bisedime.

“Shumë për të folur” për Trumpin
Putin ka thënë se nuk ka folur me Trumpin mbi katër vjet, por që është “i gatshëm, kurdo”.

“Jam i gatshëm për takim nëse ai e kërkon. Jam i sigurt që do të kemi shumë gjëra për të biseduar”.

Putin, siç ka bërë shpesh në të kaluarën, ka tentuar të portretizojë Rusinë si shtet konstruktiv, që është i hapur për dialog, ndonëse në anën tjetër Moska ua ka mbyllur derën negociatave dhe i ka fajësuar të tjerët për dështimet.

Ai i ka hedhur poshtë raportimet e një gazetari amerikan që pas humbjeve të mëdha ruse në Ukrainë, dhe pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit në Siri, do të ketë pozicion më të dobët në bisedimet me Trumpin.

Duke përmendur përparimet e vogla të Rusisë në luftën në Ukrainë – që mbush tre vjet në shkurt – Putin ka thënë se Moska do të ketë pak arsye për të bërë kompromise që do të jetësonin ndonjë proces eventual të paqes.

Ai e ka përshkruar situatën në fushëbetejë “si të ndryshueshme në mënyrë dramatike”.

“Ka lëvizje në gjithë frontin e luftës. Çdo ditë”.

Pyetjet pa përgjigje
Duke u kollitur e pastruar fytin vazhdimisht, Putin ka tentuar të nxjerrë ajër qetësie në publik, dhe ka deklaruar se Rusia është e gatshme të luftojë pa ndonjë afat kohor, dhe ka vënë në pikëpyetje aftësinë e Ukrainës që t’i ruajë pozicionet mbrojtëse për kohë të gjatë.

“Mendoj që numri i ukrainasve që duan të luftojnë do të mbarojë shumë shpejt, nuk do të mbetet askush që dëshiron të luftojë. Ne jemi të gatshëm, por edhe pala tjetër duhet të jetë e gatshme, si për negociata, ashtu edhe për kompromise”, ka thënë Putin.

Ai i ka krahasur metodat e rekrutimit të ukrainasve me ato të trajnimit të qenve endacakë, dhe ka thënë se Kievi është duke dërguar ushtarë të rinj në frontin e luftës edhe pa pasur trajnimin e nevojshëm.

Në fakt, është Rusia ajo që akuzohet vazhdimisht se ka humbur qindra mijëra ushtarë në fushëbetejë, për shkak se i ka nisur në betejë pa kryer stërvitjet e domosdoshme.

Ai është talluar edhe me komentet e bëra nga Ukraina dhe Perëndimi, pasi palët kanë hedhur poshtë deklaratat e bëra ditë më parë nga presidenti rus, që raketat hipersonike ruse me rreze të mesme, të lëshuara kundër Ukrainës, nuk mund të ndalohen prej askujt.

Putin i ka sfiduar Shtetet e Bashkuara në një “duel të armëve të shekullit 21”, duke testuar raketën hipersonike ruse Oreshnik, me raketat amerikane për mbrojtje.

“Le ta përcaktojnë ata vetë shënjestrën e shkatërrimit, le të themi në Kiev”, ka thënë Putin.

Megjithatë, pavarësisht vetëbesimit që Rusia do të triumfojë në Ukrainë, Putin nuk ka dhënë përgjigje për pyetjen kryesore, atë se kur do të përfundojë lufta.

Ndonëse ka thënë se fundi i maratonës nuk do të jetë i lumtur derisa ushtarët rusë të kthehen në shtëpi, ai nuk ka ofruar ndonjë afat se kur mund të përfundojë lufta, dhe është zotuar se do t’i largojë forcat ushtarake ukrainase prej rajonit rus, Kursk, të cilën e kontrollojnë qysh prej verës, pas nisjes së një ofensive të befasishme./REL