RajoniTop Lajme

Qeveria thotë se kush nuk do që t’i marrë 100 eurot mund të heqë dorë

Shpërndaje

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka publikuar një vegëz që çon te një formular i cili mundëson heqjen nga lista e përfitimit të shtesave prej 100 eurosh për fëmijë e pensionistë, sipas vendimit të Qeverisë.

Qeveria ditë më parë ndau nga 100 euro për fëmijët deri 16 vjeç dhe për pensionistët për fundvit.
Ministri Murati, tek ka njoftuar për formularin, ka thënë se kjo vegëz është bërë me qëllim për njerëzit që nuk duan t’i marrin paratë “sepse nuk kanë nevojë”.

“Shtesat e fundvitit për fëmijë e për pensionistë janë mirëpritur nga shumë qytetarë. Por ka edhe prej atyre që deklarojnë se shtesat e tilla ata nuk do duhej t’i merrnin sepse nuk kanë nevojë. Për ta mundësuar heqjen nga lista e përfitimit të shtesës së njëhershme prej 100 euro për fëmijë e për pensionistë, kemi përgatitur formularin online ku secili që dëshiron vullnetarisht të heq dorë, mund ta bëjë këtë për 2 minuta, duke plotësuar formularin në vijim: https://see.rks-gov.net”, ka shkruar ai.

Murati ka thumbuar edhe deputetët e opozitës dhe analistët që e patën cilësuar vendimin për fushatë, duke thënë se është i bindur ata “do të jenë të parët që do ta plotësojnë”.

“Andaj mos hezitoni t’a ndani edhe me ta këtë formular”, ka shkruar ai.