Në cilin lokacion do të ndërtohet fabrika e municioneve në Kosovë, armët edhe për NATO-n
Në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me Turqinë për themelimin e një fabrike të municioneve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sapo ishte nënshkruar kontrata me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE),, kishte deklaruar se “po vendosim themelet e industrisë sonë të mbrojtjes”.
“MKE merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.
Në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.
Ditë me parë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e ka pohuar se vendi ynë do të prodhojë armë për NATO, dhe se Kosova është duke negociuar me disa shtete për të nisur edhe themelimin e laboratorit për dizajnimin e dronëve.
Gjithashtu, ai e ka përmendur se janë në kërkim të një lokacioni për të ndërtuar fabrikën për prodhimin e municionit.
“Tashmë pas nënshkrimit të kontratës kompania prodhuese turke ka filluar pra prodhimin e makinerisë së nevojshme për prodhimin e municioneve. Nuk mund ta jap saktë kohën, por çka mund të them është më shumë se një vit e më pak se dy vite koha kur ne do të kemi mundësinë të shohim prodhimin e municioneve të para në Republikën e Kosovës”, ka thënë Maqedonci në një intervistë për Top Channel.
Shala: Një hap i rëndësishëm për avancimin teknologjik
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, e ka mirëpritur krijimin e këtij laborator për dizajnimin e dronëve, të cilin e quan një hap i rëndësishëm për avancimin teknologjik dhe përfshirjen strategjike të Kosovës në industrinë e mbrojtjes globale.
Ai ka sugjeruar disa zona të cilat do të ishin të përshtatshme për fabrikën në fjalë.
“Sa i përket vendosjes së fabrikës për prodhimin e municionit, është e rëndësishme që të merret parasysh infrastruktura ekzistuese, siguria, dhe qasja në resurse. Zonat me potencial industrial, si p.sh. Drenica apo Mitrovica, mund të jenë të përshtatshme për shkak të traditës në industri dhe afërsisë me burimet e nevojshme. Po ashtu, është thelbësore që ky projekt të realizohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe mjedisit, duke shmangur çdo ndikim negativ në komunitet”, ka shpjeguar Shala.
Më tej, ai ka cekur se ky projekt do të tërheqë investime strategjike nga partnerë ndërkombëtarë./Bota Sot