Kurti nga Prizreni: “E me kysmet, me 9 shkurt, lezet e selamet cep më cep, e për opozitën haj medet”
Kandidati për kryeministër Albin Kurti tha se “altoparlantët e oligarkëve” po thonë se Vetëvendosja nuk po e mbështet biznesin. Ai i ka quajtur të kufizuar me dije ata që besojnë se bizneset nuk “ja kanë parë hairin rritjes së qëndrueshme”. Kreu i LVV-së, Albin Kurti tha se më 9 shkurt “do të verbohen kriminelët dhe armiqtë.”
Para simpatizantëve në tubimin në Prizren, Kurti tha se gjatë mandatit katërvjeçar është mbështetur, shoqëria, sektori privat dhe ndërmarrjet publike.
Kurti: A keni dëgjuar altoparlantët e oligarkëve kur thonë se VV s’po mbështet biznesin
“A i keni dëgjuar të dashur qytetarë të Prizrenit altoparlantët e oligarkëve kur thonë se Vetëvendosja nuk po e mbështet biznesin. Hajde rrenë hajde. Në katër vjet qeverisje rritja mesatare ekonomike ishte 6 për qind, asnjëherë pa rënë nën 4 për qind. Duhet të jesh fort i kufizuar me dije të besosh që nuk ja ka pa hairin biznesi kësaj rritjeje të qëndrueshme. Por edhe krejt i padijshëm të jesh megjithatë nuk mund të mos kuptosh se përmirësimi i raportit eksport-import nga 1/9 në 1/6 siç ka ndodhur në qeverinë tonë nuk mund të realizohet pa forcim të biznesit vendor, pa zgjerim të prodhuesve vendor”, tha ai.
Pasditen e së premtes, Kurti përmendi edhe aktivistët Astrit e Arbnor Dehari për të cilët tha se “shpirti i tyre na bashkon”. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se më 9 shkurt votohet për të ardhmen e vendit, mes tjerash përmendi nënat dhe fëmijët, invalidët dhe veteranët.
Kurti: Erdhi dita që verbon kriminelët dhe armiqtë
“Punoni shumë, ditë e natë, natë e ditë, sepse erdhi dita që të shohim shumë dritë. E shumë dritë që ndriçon të ardhmen për popullin dhe miqtë dhe shumë dritë që verbon kriminelët dhe armiqtë. E që na vjen e që na sjell te 500 mijë zemra që do të rrahin, por si një të dielën e 9 shkurtit me pulsin 118, me pulsin e atyre që ecin shpejt e punojnë shumë”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, që nga paslufta Prizreni asnjëherë nuk ka qenë më i përfaqësuar në nivelin qendror se sa në katër vitet e qeverisjes së tij. Ai premtoi se në spitalin e këtij qyteti do të vazhdojnë investimet, për çka tha se do të jetë model për Kosovën.
Kryeministri aktual përmendi edhe projektin e rrugës Prizren-Tetovë, për çka tha se vlera e përgjithshme është rreth 200 milionë euro.
Kurti: Me rrugën Prizren-Tetovë do të vendoset drejtësi historike
“Me këtë rrugë ne vendosim drejtësi historike ndaj një padrejtësie gjeografike. Malet i kemi për të na mbrojtur, jo për të na ndarë. Punimet për rrugën që lidh Prizrenin me Tetovën, Kosovën me Maqedoninë e Veriut, shqiptarët në dy anët e kufirit kanë filluar dhe po ecin me shpejtësi…Vlera e gjithmbarshme e projektit llogaritet të jetë rreth 200 milionë euro, tuneli pritet të kushtojë rreth 150 milionë euro. Me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kemi marrëveshjen për financimin dhe projektimin e tunelit. Tuneli do t’i bie mes për mes malit të Vërtopit, ai do të jetë i gjatë gati 6 kilometra e gjysmë dhe do të jetë edhe më i gjatë se sa tuneli i Kalimashit për përafërsisht 600 metra”, tha Kurti në Prizren.
Një fjalë rasti në këtë tubim mbajti edhe kandidati për deputet Artan Abrashi. Kujtojmë, fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit ka nisur më 11 janar me intensivitet të lartë në mesin e akuzave dhe kundërakuzave ndërmjet partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare.