Berisha: Do të loboj për heqjen e “non grata”. Fitorja e Trump, një mrekulli
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, rikonfirmon se me administratën e re të SHBA-së do të lobojë për rishikimin e shpalljes non-grata nga ish-administrata amerikane, që e ka quajtur produkt të një lobimi korruptiv të qeverisë shqiptare me mbështetjen e Xhorxh Sorosit.
“Natyrisht unë gjer sot nuk kam pasur një vendim që nuk bëj lobim. Nuk kërkoj të ma heqin vendimin, se i kam hedhur në gjyq. Tani pa diskutim do të kërkoj, sipas rregullave që kanë, të shqyrtojnë vendimin që ka në bazë lobimin politik të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit,” u shpreh kryedemokrati.
Në ditën e marrjes së detyrës nga presidenti Donald Trump, Berisha e vlerësoi rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Në Uashington ndërrohet pushteti. Personalisht fitoren e presidentit Donald Trump, pa asnjë lidhje dhe për asnjë interes timin, e kam konsideruar një mrekulli për njerëzimin,” tha z. Berisha.
Edhe në këtë komunikim me mediet, kryetari i PD-së akuzoi ish-ambasadoren amerikane, Yuri Kim, si pjesë të lobimit korruptiv për shpalljen e tij non grata, duke tejkaluar kompetencat e një përfaqësueseje të trupit diplomatik.