Zbulohet një laborator për falsifikimin e dokumenteve në Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë.
Njoftimi i plotë:
KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA PROKURORIA SPECIALE
DHE POLICIA E KOSOVËS
Policia e Kosovës Zbulon një Laborator të Sofistikuar për Falsifikimin e Dokumenteve
Prishtinë, më 28.01.2025
Policia e Kosovës më 24 janar 2025 ndaloi një automjet në Prishtinë, ku gjeti dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës. Shoferi me inicialet (F.K.) u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Pas hetimeve intenzive, u zbulua një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë. Në bastisje u sekuestruan dëshmi relevante, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës. Ky rast po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar” nga Prokuroria Speciale. Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar.