MaqedoniTop Lajme

Gjykata vendos: ASH i takon Ziadin Selës! Krahu i Taravarit paralajmëron ankimim të vendimit në Gjykatën e Apelit

Shpërndaje

Gjykata Themelore në Tetovë solli vendim që kryetari i Aleancës për Shqiptarët të jetë Ziadin Sela. Sipas këtij vendimi, vulat e partisë tani i takojnë Selës. Në vendimin e gjykatës thuhet se pranohet kërkesa për ndërrimin e kryetarit të partisë, respektivisht në vend të Arben Taravarit, të emërohet Ziadin Sela.

“Qartësimi i kësaj situate se kujt i takon ASH, kalon në dimensionin edhe të qartësimit të rrëmujës dhe kaosit politik të krijuar brenda këtij viti. Një ASH qartazi e definuar në përcaktimet programore të saj. Qartazi në rrugën në konsistencën e saj politike. Një ASh në trungun e vet, te themeluesit e vet, natyrisht që është në të mirën e gjithë shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë, prandaj ky është një vendim i rëndësishëm i drejtë dhe ASh do vazhdojë ashtu siç i takon dhe siç ka vepruar edhe në ta kaluarën”, tha Ziadin Sela – ASH.

Taravari për vulat e ASH-së: Presim vendimin përfundimtar të këtij seriali absurd

Arben Taravari nga VLEN, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Tetovës, që vulat e Aleancës për Shqiptarët t’i takojnë Ziadin Selës.

Taravari në Facebook shkruan se drejtësia është e brishtë dhe se ende po pret vendimin përfundimtar të këtij rasti.

Reagimi i plotë:

Nëse gjykatësit e Ali Ahmetit ja kanë shitur vulat Ziadin Selës, jam kurioz të dijë se çfarë do bëjnë me emrin e partisë:

Do e mbajnë BDI besoj…

Pavarsisht se në Drejtësinë e brishtë që ende mban në liri kriminelë që duhej të ishin moti në burg dhe ka gjygjtarë që tregtojnë vendime, ne ende besojmë tek reformimi i saj.

Dhe sa për sqarim të të gjithë atyre që identitetin e tyre politik e kanë të varur tek vulat, këto të fundit ndodhën aty ku duhet, në zyrat e partisë tonë. Do të presim vendimin përfundimtar të këtij seriali absurd, por gjithsesi ju kujtojmë vulistëve se nuk ka asnjë vulë që ju kthen partinë që botërisht kanë kohë që e kanë humbur!

Fati i tyre politik është Vulosur!