RajoniTop Lajme

Rashiqi kërkon nga KQZ-ja kujdes të shtuar gjatë numërimit të votave

Shpërndaje

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, që udhëheq subjektin politik “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiq, ka shprehur frikën për ndikim te komisionerët e vëzhguesit. Sipas tij, komisionerëve të subjektit të tij politik po u ofrohen para në mënyrë që gjatë numërimit të votave ato të partisë së tij t’i regjistrohen Listës Serbe
Nenad Rashiq pretendon se komisionerëve të partisë së tij “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë” po u ofrohen para për t’i kthyer votat e këtij subjekti politik në vota të Listës Serbe gjatë procesit të numërimit.

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim tha të mërkurën se këto shqetësime i ka drejtuar te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas tij, qëllimi i ofrimit të parave është për ta lënë subjektin e tij pa ulëse në Kuvend dhe që Lista Serbe t’i fitojë 10 mandate.

“Çdo njeri që di të llogarisë dhe shihet se sa vota shtesë mund të ketë Lista Serbe prapë nuk mund të mbërrijnë të ma marrin mandatin që kemi fituar apo jemi shumë afër fitimit. Në këtë rast, pasi nuk mund t’i ketë votat e mjaftueshme atëherë hajde t’i zvogëlojmë votat e tyre në mënyrë që të tejkalojmë. Një koncept real është se ato me çdo kusht dëshirojnë t’i marrin dhjetë ulëset dhe vjen në konkludim se e vetmja mënyrë është t’i anulojmë votat e Rashiqit. Tani ata kanë përpjekje të vazhdueshme që të bëjnë një gjë të tillë”, tha Rashiqi në një intervistë për Kosovapress.

Rashiqi edhe të martën mbrëma, në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, u shpreh se komisionerët e partisë së tij kanë marrë telefonata nga persona të panjohur ku është kërkuar deformimi i vullnetit qytetar në këmbim të parave.

“Nuk po them se janë vjedhur tani në këtë moment, por e di se shumë komisionerë të mi dhe anëtarë të komisioneve nga qendrat për numërimin e votave kanë qenë të kontaktuar. Kur po them shumë, po them prej veriut, tash e fundit që e mora vesh është në Komunën e Vushtrrisë, atë të Obiliqit e kështu me radhë. Pra, është një organizim që është i dukshëm, se ka një organizim të madh, që nuk ka interes që me të vërtetë ta mbrojë popullin, por që ta manipulojë çdo votë ose krejt votat që janë këtu për ta marrë pushtetin absolut”, tha Rashiqi.

KQZ-ja deri më tash nuk është deklaruar për këtë çështje e Rashiqi tha se nëse këto telefonata vazhdojnë, ai do ta paraqesë rastin në Polici.