Zelensky i gatshëm të heqë dorë nga presidenca për paqe ose anëtarësim në NATO
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë që të heqë dorë nga presidenca, në këmbim të paqes ose anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
“Po, jam i lumtur, nëse është për paqen e Ukrainës”, është shprehur Zelensky, të dielën në një konferencë për media në Kiev, raporton BBC.
“Nëse është nevoja që unë të largohem nga kjo karrige, unë jam gati ta bëj këtë, dhe gjithashtu mund ta shkëmbej atë me anëtarësimin në NATO për Ukrainën”, është shprehur ai.
Zelensky ka shtuar se ai është i fokusuar në sigurinë e Ukrainës tani, duke shtuar se nuk është “ëndrra” e tij të mbetet president për një dekadë.
Zelensky po ashtu ka thënë është “mirënjohës” për mbështetjen e administratës Biden dhe Trump.
Ai ka kërkuar mirëkuptim dhe garanci sigurie nga presidenti Trump për të ndihmuar Ukrainën. Presidenti ukrainas ka shtuar se e ka ftuar Trumpin në Ukrainë.
Liderët evropianë do të mblidhen të hënën në Ukrainë, njofton Zelensky
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se liderët evropianë do të mblidhen në Ukrainë të hënën, për të diskutuar garancitë e sigurisë për vendin.
Duke folur në një konferencë për media të dielën në Kiev, një ditë para 3 vjetorit të luftës, Zelensky ka thënë se Ukraina ka nevojë për mbështetje nga Evropa dhe SHBA-ja, raporton BBC.
Sipas tij, “vendime të forta” pritet të merren në takimin e së hënës teksa ka shtuar se pritet edhe një takim i veçantë me liderët e parlamentit të Bashkimit Evropian për paketat e mbështetjes dhe sanksionet kundër Rusisë.