Rama: Ja pse jam i lehtësuar nga rrëzimi i masave ndaj zyrtarëve të UBT në GJKKO
Kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me masat e sigurisë të dhëna nga Gjykata e Posaçme ndaj zyrtarëve nën hetim të “Universitetit Bujqësor”, për të cilët rëndojnë akuzat e korrupsionit dhe pabarazisë në tendera.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama tha se ndihet i lehtësuar nga ndryshimi i masave të sigurisë pasi “shkeljet e pretenduara as pengohen e as nuk ndihmohen nga ato masa sigurie”.
Shefi i qeverisë tha se prokurorët mund ta bëjnë detyrërn “pa marrë peng jetën universitare”.
Ajo që bie në sy në reagimin e kryeministrit është një lapsus, i cili nuk dihet nëse është bërë nga mungesa e informacionit, apo nga një gabim teknik i stafit, në lidhje me numrin e masave të sigurisë.
Kryeministri pretendon se janë ndryshuar 20 masa siguire ndërkohë që në vendimin e dhënë të mërkurën nga GJKKO janë ndryshuar vetëm 6 prej tyre.
Masa e sigurisë u ndryshua për Serafin Skënderin, Ilir Kusin, Dritan Laçin, Azem Parllakun, Blenard Spahon dhe Tedi Prodën, për të cilët GJKKO vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në shtëpi”, në “Detyrim paraqitje”.
Postimi i kryeministrit Rama:
Rama; Ja pse jam i lehtësuar me lajmin e rrëzimit në Gjykatën Speciale të 20 masave të sigurisë (nga 24) në Universitetin Bujqësor:
- Drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie, ndërsa jeta personale e familjare e kujtdoqoftë që mund të jetë krejt i pafajshëm, kthehet në një ferr padrejtësie me pasoja traumatike.
- Prokurorët dhe gjykatësit mund ta bëjnë tani pa asnjë ndryshim, deri në fund, detyrën e tyre dhe fajtorët e mundshëm nuk kanë asnjë shans të shpëtojnë, nëse kanë prekur fondet publike. Por ama jeta universitare nuk merret peng, reputacioni i universitetit nuk mbytet në llumin mediatik, stabiliteti psikologjik i komunitetit të pedagogëve, studentëve, prindërve nuk lëndohet, ndërkohë që drejtësia vazhdon qetësisht punën e vet.
- Aleanca strategjike e UBT me Universitetin BOKU të Vienës, që u krijua me një përpjekje të madhe të qeverisë dhe programi ambicioz i transformimit rrënjësor, e i njehsimit të diplomave BOKU/UBT2030 nuk kërcënohet më nga humbja e besimit të partnerëve austriakë përballë panoramës lemeritëse të 24 masave të sigurisë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë operacion në fshatin Corleone!
Duam luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ndëshkim pa mëshirë për çdo dorë që hyn në xhepat e popullit, por po ashtu, nuk mund të bëjmë kompromise në mbrojtje të normave demokratike europiane të drejtësisë.
Pas 100 e kusur vitesh e kemi tërhequr pushtetin politik nga fusha e drejtësisë dhe ia kemi lënë drejtësisë të na hetojë e gjykojë edhe ne, si të gjithë të tjerët, nëse shkelim ligjin.
Shpatën e ndëshkimit ia kemi dorëzuar SPAK-ut. Peshoren e drejtësisë ia kemi besuar Gjykatës Speciale. Por fashon e pavarësisë e paanësisë prokurorët, e sidomos gjykatësit, duhet ta bëjnë pa humbur kohë pjesë të lëkurës së tyre profesionale, në respekt të prezumimit të pafajësisë, të lirive e të drejtave të njeriut, të standarteve demokratike të drejtësisë europiane.
Prandaj, shpatën ta mbajnë lart, e kanë gjithë mbështetjen tonë. Peshorja është e tyrja, nuk ndërhyjmë në brendinë e çështjeve. Por sa herë do t’ua shohim sytë të pambuluar e deri edhe me gjak, nuk do të ngurrojmë ta themi publikisht.
Drejtësia e re e Shqipërisë 2030 në BE duhet të jetë si kjo statujë e Zonjës së Drejtësisë. Për të gjithë. Gjithnjë.