Trumpi ndërron mendje, thotë se “askush nuk po i përzë palestinezët” nga Gaza
Planet e presidentit amerikan, Donald Trump për të ardhmen e Gazës janë mjegulluar edhe më shumë pasi ka deklaruar para gazetarëve se “askush nuk po i përzë palestinezët” nga enklava e tyre – një përmbysje e madhe krahasuar me proklamimet e tij të mëhershme për rivendosjen e popullsisë palestineze në një vend tjetër, raporton televizioni amerikan, CNN.
Trumpi vazhdimisht ka ofruar vizione konfliktuoze për të ardhmen e gazës. Ai javëve të fundit kishte thënë se 2.1 palestinezë duhet të zhvendosen në shtetet arabe, si Egjipti dhe Jordania pas luftës së Izraelit me “Hamasin”, duke propozuar kundërthënshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin kontrollin e Rripit të Gazës dhe ta kthejnë në “Rivierë” të Lindjes së Mesme.
“Ne do t’i zhvendosim ata në një lokacion të bukur ku do të kenë shtëpi të reja, ku mund të jetojnë sigurt, ku do të kenë mjekë dhe mjekësi dhe të gjitha gjërat”, kishte thënë ai gjatë një takimi me Mbretin Abdullah të Jordanisë muajin e kaluar. “Dhe mendoj se do të jetë e mrekullueshme”.
Por gjatë takimit të së mërkurës – sipas kohës lokale amerikane – me kryeministrin irlandez, Michael Martin, Trumpi i është përgjigjur pyetjes së një gazetari, duke thënë: “Askush nuk po dëbon palestinezë”.
Është e paqartë nëse komentet e Trumpit janë përkthyer në një ndryshim aktual të politikës së jashtme amerikane, derisa presidenti ka bërë një seri komentesh kundërthënëse për planet e administratës për Gazën.
Pasi ishte përballur me kundërshtim të fortë të liderëve të Egjiptit dhe Jordanisë për vizionin e tij për Gazën pa palestinezë, Trumpi ka thënë se ky ishte vetëm një sugjerim. Ai ka thënë se nuk do të kërkojë që të zbatohet me forcë, porse vetëm se po rekomandon.
Shtëpia e Bardhë e kishte refuzuar një plan të shteteve arabe të propozuar në fillim të marsit për rindërtimin e Gazës.