RajoniTop Lajme

Për një orë nga Dibra në Tiranë! Hapet nesër Tuneli i Murrizit, Rama: Sa të jem unë, s’do ketë taksë

Shpërndaje

Hapet më 14 mars Tuneli i Murrizit. Lajmin e komunikoi këtë të enjte (13 mars) Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në rubrikën “Sy m’Sy” në rrjetin social Facebook.

Rama deklaroi se falë qeverisë së tij qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj kanë zbuluar copa të mrekullueshme të Shqipërisë.

“Tuneli do dorëzohet nesër për popullin e Dibrës i cili mezi e kanë pritur disa vite. Mendoj se e plasi syrin e keq. Gjeologjia e atij tuneli ishte një tmerr.

Nesër tuneli I Murrizit hapet në 14 mars, përkon dhe me ditën e verës. Nesër ditë vere nga Elbasani në Dibër e gjithë shqiptarinë pa harruar Tiranën.

Do zbuloni një copë Shqipërie të mrekullueshme. Kemi krijua mundësi për zbulimin e copave të mrekullueshme deri të paarritshme”, deklaroi Rama.

Kryeministri garantoi se sa të jetë ai në qeverisje, Tuneli i Murrizit nuk do të ketë asnjë tarifë.

“Ky tunel është i ndërtuar me Partneritet Publik Privat. I ka dalë shtetit shqiptarë dhe taksapaguesve shumë më lirë se rrugët që bëheshin dikur me tendera që më pas ktheheshin në histori abuzimi duke shtuar fonde për punime të paparashikuara. Kjo kontratë u bë që gjithçka e mbulon sipërmarrësi privat. Ajo që do bëj shteti do shlyej detyrimin mbi fondin limit të parashikuar. Rruga e Arbrit dhe Tuneli sa të jem unë këtu nuk do kenë taksë, tarifë”, theksoi Rama.

Tuneli i Murrizit është realizuar totalisht nga kompani shqiptare. Ka një gjatësi prej 3,78 kilometrash dhe ka 11 dalje. Në total Rruga e Arbrit ka 7 tunele me gjatësi totale 8,5 km. Rruga e Arbrit në total është e gjatë 74 km dhe pritet të bëhet një korridor i rëndësishëm lidhës Lindje-Perëndim.

Ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me Maqedoninë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.

Me lëshimin në përdorim të tunelit, nga vendkalimit kufitar “Bllatë” afër Dibrës, deri në Tiranë do të arrihet për një orë.