BotaKuriozitete

Türkiye, xhamia e ndërtuar me teknikën “pa gozhdë” qëndron në këmbë prej 2 shekujsh

Shpërndaje

Xhamia e ndërtuar duke përdorur teknikën “pa gozhdë” në qytezën Çaycuma në qytetin Zonguldak të Türkiyes ka mbi 200 vjet që mirëpret besimtarët e saj, raporton Anadolu.

Të dhënat zyrtare nuk tregojnë se kush e ndërtoi Xhaminë Qendrore të fshatit Akçahatipler, e cila është një nga shembujt më të bukur të arkitekturës së drurit në Anadoll.

Xhamia dykatëshe prej druri e cila ka mbijetuar me restaurime të ndryshme brenda saj, ka sfiduar kohën duke u shërbyer qytetarëve nga fshatrat përreth për mbi 200 vjet.

Kryeplaku i fshatit, Nizamettin Akkaya tha për gazetarin e AA-së se historia e xhamisë daton që nga kohërat e vjetra.

Akkaya tha se objekti i faljes u ka shërbyer 25 fshatrave për shkak se në fshatrat përreth nuk kishte xhami shumë kohë më parë. Ai theksoi se kati i dytë ishte ndërtuar sepse ishte e pamjaftueshme për xhematin e besimtarëve kur ajo ishte njëkatësh.

“Ky vend adhurimi është ndërtuar duke përdorur teknikën ‘çantı’ ku drurët ndërlidhen me njëri-tjetrin pa përdorur gozhdë. Është një nga veprat më të njohura të Türkiyes. Është vepër që duhet mbrojtur. Aktualisht përdoret në mënyrë aktive nga fshati ynë, mirëmbahet nga fshatarët tanë dhe është vepër historike ku ne vazhdimisht kryejmë adhurim”, tha Akkaya.

Ai potencon se njerëzit që janë kuriozë për xhaminë, vijnë për të vizituar fshatin e tyre dhe se vendi i adhurimit hedh dritë mbi historinë duke qëndruar ende në këmbë.