MaqedoniTop Lajme

Mexhiti: Taravari nuk e ka vendin në Qeveri nëse ka vendosur të bashkëpunojë me BDI-në

Shpërndaje

Kryetari i Lëvizjes Demokratike pjesë e VLEN-it, Izet Mexhiti ka deklaruar se nëse Arben Taravari ka bashkëpunim me BDI-në, nuk e ka vendin në Qeveri.

“Vlerësoj se nuk e ka vendin në Qeveri sepse meqë dëshiron bashkëpunim me BDI-në, ajo ndërlidhet me politikat dhe parimet e formimit të kësaj Qeverie, dhe ajo është lufta kundër korrupsionit, kthim në shtetin e së drejtës dhe shtylla të tjera”, tha Mexhiti.

Mexhiti ka folur edhe për votat e marra në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Tha se ato janë vota anti-BDI dhe jo të LD-së, AAA-së, Besës e ASh-së.

“Ne të gjithë u bashkuam rreth idesë që të sjellim ndryshimin, pluralizmin, demokracinë në kampin shqiptar, luftën kundër korrupsionit. Të gjithë qëndrojmë në të përveç zotëri Taravarit, i cili për shkaqe individuale dhe partiake ka dalë në sipërfaqe se gjatë kohë, disa muaj, ka takime dhe bashkëpunim me BDI-në. VLEN është ende më e fuqishme, sepse 107.000 votat e fituara (në zgjedhjet e fundit parlamentare) nuk janë vetëm vota të Lëvizjes Demokratike, të Alternativës, Besës apo një pjesë edhe të Aleancës, por janë vota anti-BDI, vota për ndryshim dhe shpresë dhe nuk mund të thirret askush dhe të thotë se i ka xhep”, tha më tej Mexhiti./TV21