15 vjet nga kurthi dhe vrasja në pritë e Harun Aliut-Kushtrimit
Sot mbushen 15 vjet nga vrasja e Harun Aliut, komandant Kushtrimit dhe tre shokëve të tij, Xhafer Shala, Qemal Fejzullahu dhe Shaban Zenuni, shkruan SHENJA.
Harun Aliu ka lindur më 20 maj të vitit 1971 në Hasanbeg të Shkupit, ku kaloi fëmijërinë e tij dhe kreu shkollën fillore. Në vitet e tetëdhjeta pushteti Jugosllav e hoqi përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha shkollat e mesme dhe krijoi paralelet e përziera ku mësomi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Aliu refuzoi të ndjekë mësimin në gjuhën maqedonase dhe udhëtoi drejt Damaskut të Sirisë për të kryer shkollën e mesme. Më pas kthehet në vendlindje ku do të regjistrohej në gjeneratën e parë të Universitetit të Tetovës, në Fakultetin Filozofik, dega e Historisë. Emri i Harun Aliut do të gjendet në thuajse të gjitha aktivitetet kombëtare në Kosovë e Maqedoni, që nga lëvizjet studentore duke u rreshtuar gjithmonë në ballë të tyre. Kushtrimi nuk do të mungonte as në aradhat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në vitet e 90-ta nën drejtimin e komandantit Adem Jashari.
Përveç aktiviteteve ushtarake, logjistikës dhe furnizimit me armatim nga Shqipëria në Kosovë, Harun Aliu në të njëjtën kohë filloi edhe me organizimin e celulave të para të UÇK-së në Maqedoni. Nga viti 1995 e më pas ai filloi edhe me aktivitete konkrete në Maqedoni, që më pas u zbulua se kishte qenë pjese e grupeve që në Kërçovë e qytete të tjera të banuara me shqiptarë kishin kryer sulmet e para me bomba. Pas zbulimit të bashkëveprimtarëve të tij, Harun Ali arratiset në Shqipëri ku fillon rekrutimin e aradhave të para të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për të filluar kryengritje në Maqedoni. Si një nga themeluesit, Kushtrimi do të emërohej edhe në mesin e anëtarëve të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, por pjesën më të madhe në konfliktin e vitit 2001 e kaloi në front, që nga betejat e para në Tanushë, Kalanë e Tetovës dhe zonat e luftës në karadakun e Shkupit dhe Kumanovës.
Emri i komandant Kushtrimit bëri jehonë në të gjitha trojet shqiptare, ndërsa thuhej se disa herë është përplasur edhe me përfaqësuesin e atëhershëm të UÇK-së, Ali Ahmeti për shkak të tërheqjeve të ushtarëve nga Kalaja e Tetovës dhe Haraçina që ai thuhet të ketë kundërshtuar ashpër këto dy vendime. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001 dhe përfundimin e konfliktit të armatosur, Harun Aliu burgoset nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut në Kosovë dhe dënohet me 4 vjet burg, ku vuajti 3 vjet e 6 muaj,pjesën më të madhe në burgun famëkeq të Dubravës.